Gjukanoviqi mund të rrëzohet nga pushteti, një shqiptar ka gjasa të jetë çelësi i qeverisë së re

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Nëse sondazhet e fundit të opinioneve në Mal të Zi do të përktheheshin në vota, opozita aktuale parlamentare do të kishte një mazhorancës prej 52 për qind, ndërsa shumica e koalicionit qeverisës do të gëzonte besimin e vetëm 48 për qind të qytetarëve. Që do të thotë konkretisht se qeveria e Milo Gjukanoviqit mund të binte pas mbi 30 vjetësh në pushtet, transmeton Shqip.

Sipas rezultateve të CEDEM-it, të kryer 17 ditë para zgjedhjeve, Partia Demokratike e Socialistëve është në një kuotë të ulët me vetëm 35.3 për qind të mbështetjes së votuesve.

Ata ndiqen nga koalicioni – “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 24.7 për qind, pastaj lista “Paqja është kombi ynë” me 16.6 për qind, dhe platforma “Bardhë e Zi” 6.6 për qind, Social Demokratët 5.3 për qind, Partia Boshnjake 4, 8 për qind dhe SDP 4.2 për qind.

Është interesante fakti shumica e pakënaqësive për rezultatet e agjencisë CEDEM, të cilën publiku tradicionalisht e konsideron afër partisë qeverisëse në Mal të Zi, këtë herë erdhën nga PDS. Partia e drejtuar nga Milo Gjukanoviqi pretendon se ky studim është pjesë e një “fushate zgjedhore të ndyrë”.

Gazetari i DAN, Marko Veshoviq vëren se CEDEM-i, i cili përmes sondazheve të tij ka theksuar popullaritetin e partisë në pushtet dhe vetë Gjukanoviqit, tani më në fund ka kuptuar për herë të parë që popullariteti i koalicionit qeverisës në Mal të Zi, i udhëhequr nga PDS, është dukshëm më i ulët se që ishte katër vjet më parë.

Nëse rezultatet e paraqitura nga CEDEM-it do të merren si të rëndësishme ,Veshoviq thotë se kjo po përgatit një humbje elektorale të regjimit në Mal të Zi.

Gjithsesi disa nga partitë e opozitës nuk mund ta kalojnë pragun zgjedhor dhe kjo nuk do të japë mundësi për koalicionin antiqeveritar të formojë një shumicë qeveritare të lehtë.

Një fakt tjetër interesant se nëse konfirmohet sondazhi, atëherë Dritan Abazoviq, një shqiptar nga Ulqini, që drejton koalicionin Bardh e Zi, mund të marrë 6.6% të votave dhe ka gjasa që ai do të jetë çelësi për të formuar qeverinë e re.

Para disa kohësh, në një prononcim për “Shqip” Dritan Abazoviq bëri të ditur se nëse koalicioni i tij do të ishte “kingmaker”, atëherë padyshim që do të merrte postin e kryeministrit të Malit të Zi dhe ai ishte kandidati kryesor. Pra është shansi i një kryeministri shqiptar, edhe pse Dritani është një politikan që nuk ka pasur një retorikë nacionaliste etnike, por qytetare në diskursin politik.

Opozita pret gjithashtu që një lëvizje e fortë të zhvillohet këto ditë për të sulmuar Gjykanoviqin. Bëhet fjalë për kujtimet e Svetozar Maroviqit, ish-presidentit të Jugosllavisë, një nga partnerët e Gjukanoviqit në të kaluarën, i cili para pak vitesh u arrestua për korrupsion.

Sipas gjasave, Maroviq do të shpjegojë skemën e korrupsionit të partisë në pushtet.

Të ngjashme