Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kusht për të vazhduar bisedimet me Kosovën dhe për të arritur një zgjidhje përfundimtare, raportoi të hënën media serbe “Danas”.
Gjuriq, i cili më parë ishte drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka thënë për televizionin Pink se Asociacioni nuk do të negociohet, pasi “është dakorduar dhe nënshkruar në Bruksel”.
“Më 2013 është nënshkruar dhe konfirmuar në vitin 2015, kur janë miratuar parimet për formimin e Asociacionit”, ka thënë Gjuriq.
Sipas tij, është e qartë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “dëshiron ta shmangë me çdo kusht diskutimin për Asociacion”, por shton se vërehet edhe mbështetja e SHBA-së që është “larg më e madhe sesa e vendeve evropiane në mbrojtjen e kësaj ideje”.
“Përfundimi është se Amerika tani po e vendos Asociacionin në tavolinë dhe po thotë: Kjo duhet të zbatohet. Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të pranishëm në terren dhe që si serbë të fokusohemi në interesin tonë kombëtar dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira politike me SHBA-në. Nuk duhet të kemi iluzione se qëndrimi i SHBA-së ndaj statusit të Kosovës do të ndryshojë, por kemi vërejtur se ky status përmendet gjithnjë e më pak”, ka shtuar ai.