Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq pret heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë.
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka sjellë porosinë se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet.
“Nga Grenell kemi marrë porosinë se nga Prishtina pritet heqja e pakushtëzuar e taksës dhe administrata e presidentit Trump nuk do ta mbështesë Kosovën që vendimin për heqjen e taksës ta zëvendësojë me ndonjë barrierë tjetërm, përfshirë edhe kërkesën për reciprocitet”, deklaroi Gjuriq për mediat serbe, përcjell lajmi.net.
“Siç thonë ata, në kushte të tilla, ndikimi amerikan në rajon nuk do të ketë efektin e dëshiruar”, shtoi ai.
Ai po ashtu ka insistuar se ideja për formimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vazhdojë të jetë kërkesë e Beogradit në mënyrë që serbëve në Kosovë t’u garantohet mbrojtja e të drejtës kolektive.
“Prishtina e ka marrë detyrimin për formimin e Asociacionit para 2493 ditësh dhe me kokëfortësi të refuzimit e ka humbur besimin nga ata që deri më tani i kanë dhënë mbështetje të pakushtëzuar”, u shpreh Gjuriq.