Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se Albin Kurti është një “zyrtar krahinor i krahinës serbe në organet e përkohshme të vetëqeverisjes” dhe shihet qartë se nuk mund t’i detyrojë as anëtarët e partisë dhe qeverisë së tij të ndjekin politikat e tij.
Gjuriqi madje tha se Kurti, nëse dëshiron që të ndikojë në politikën e Serbisë, le të kandidojë në zgjedhjet e Serbisë.
“Nëse dëshiron të ndikojë në politikën e Serbisë, le të kandidojë në zgjedhjet për parlament në Serbi”, tha Gjuruqi dhe shtoi se përderisa Serbinë ta udhëheqë Alleksandar Vuçiqi, “është e sigurt se s’do të mund ta detyrojë askënd në Beograd që ta njohë pavarësinë e rreme të Kosovës”.
Zyrtari i qeverisë serbe tha se Kurti e ka shansin që të nis një kapitull të ri në raportet mes Kosovës e Serbisë, por se, siç tha ai, sipas të gjitha gjasave do ta humb këtë rast sepse “bën gjithçka që të paraqitet më ekstremist se paraardhësit e tij”.
“Beogradi mbetet i hapur për dialog produktiv për Kosovën e Metohinë, përderisa nga ana tjetër ka bashkëbisedues të civilizuar, i cili për fillim duhet të heq pa kushte taksën anticivilizuese ndaj mallrave të Serbisë qendrore”, tha Gjuriqi në këtë deklaratë.