Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se të gjithë hapat e ardhshme të Listës Serbe do të merren në pajtim me Beogradin.
Ai po ashtu porositi se askush nuk duhet të llogaris në mbështetjen e përfaqësuesve serbë, raporton “Blic”, transmeton lajmi.net. Gjuriq ka thënë se pas zgjedhjeve në Kosovë janë “fundosur” shpresat e Prishtinës se serbët do të ndahen mes vete.
“Nuk e fshehim se të gjitha i bëjmë në pajtim. Lista Serbe do t’i bëjë hapat e ardhshëm në pajtim me Beogradin dhe askush nuk duhet të llogaris në mbështetjen e përfaqësuesve serbë”, deklaroi Gjuriq në një konferencë për media.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve ku prin Lëvizja Vetëvendosje, Gjuriq ka thënë se Albin Kurti ishte në favor të dialogut me serbët që kanë fituar 0.67 për qind në zgjedhje, transmeton lajmi.net.
“Ata ishin partnerët ideale për të. Kurti duhet të bisedojë me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, nëse dëshiron të ketë dialog për të ardhmen e krahinës”, theksoi Gjuriq. Ai ka insistuar se dialogu mund të udhëhiqet vetëm duke respektuar serbët dhe Serbinë.