Ta mbrojmë Gazivodën (Ujmanin) dhe Vallaçin” ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ngjashëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, tri ditë pasi Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit Transmetues (ENTSO) duke votuar shpalli se KOSTT-i, operatori i sistemit transmues të Kosovës, mund të funksionojë i pavarur.
Dje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “Nëse ndokush mendon se ka ardhur koha që dikush ta marrë fizikisht Vallaçin e Gazivodën, unë i lus që mos ta bëjnë këtë gjë”. Pas tij u deklarua edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sipas të cilit “gjuetarët politikë të ngordhësirave e dëshirojnë që Serbia ta humb betejën për Gazivodën dhe Vallaçin, por, për fatkeqësinë e tyre ne do ta fitojmë këtë betejë”, transmeton Koha.net.
Siç është shprehur ai, “do ta fitojmë këtë betejë ashtu siç e kemi zvogëluar për 17 numrin e njohjeve për pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës dhe e kemi penguar anëtarësimin e Kosovës në 11 organizata ndërkombëtare”.
KOSTT që deri më tash ka funksionuar në kuadër të territorit rregullator të Serbisë (EMS) në bllokun SMM (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), pritet të dalë nga ky territor dhe t’i bashkohet bllokut me operatorin e sistemit transmetues të Shqipërisë OST.
Serbia deri tash e ka kundërshtuar pranimin e KOSTT-it në Rrjetin Europian të Sistemit Transmetues. Por do thënë se në pikën 10 të Konkluzioneve të ndërmjetësimit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë – Marrëveshjes së Brukselit qysh më 2013 parashihej që KOSTT të bëhej anëtar i Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit Transmetues të Energjisë Elektrike (ENTSO).
Vuçiq ka thënë se “Serbia nuk do t’i zbatojë vendimet e tyre”.
“Ua bëj me dije se vendimi i tyre është i kundërligjshëm. Do të ankohemi në të gjitha instancat. Fillimisht do të kërkojmë masa të përkohshme në një afat 14 ditësh, dhe kur ta marrin vendimin ne nuk do ta zbatojmë. Kur doni të shkaktoni kësi lloj kaosi energjetik, do të merrni përgjigjen e Serbisë, sepse nuk lejojmë ta shkelni vendin tonë dhe popullin tonë siç e keni paramenduar, as popullin tonë në Kosovën e veriut, as popullin tonë në tërësi, as vendin tonë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.