Gjykata bllokon rregullin e Trumpit për sigurimin shëndetësor të imigrantëve

GOP 2016 Trump
Prishtinë | 03 Nën 2019 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë amerikane e ka bllokuar përkohësisht rregullin e propozuar nga presidenti Donald Trump, me të cilin kërkohej që imigrantët të dëshmojnë se do të kenë sigurim shëndetësor brenda 30 ditëve pas hyrjes në Shtetet e Bashkuara ose të ofrojnë dëshmi se kanë mundësi financiare për ta paguar vetë atë.

Gjykatësi Michael Simon, i cili shërben si gjykatës i qarkut në Oregon, vendosi për ndalim të përkohshëm të këtij propozimi. Vendimi u mor pasi shtatë qytetarë amerikanë dhe një organizatë joqeveritare kishin paraqitur ankesë kundër këtij rregulli.

Sipas tyre, rregulli i ri do t’i bllokonte mijëra imigrantë ligjorë dhe se numri i imigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes vizave të sponsorizuara nga familja do të zvogëlohej shumë apo do të zhdukej plotësisht.

Në vendimin e gjykatës thuhet: “Përballja me rrezikun e mundshëm të ndarjes nga anëtarët e familjes dhe vonesa për marrjen e vizës, e cila në raste të tjera do t’i dhurohej familjarëve, është dëmtuese në mënyrë të pariparueshme”.

Vendimi i gjykatësit Simon për pezullimin e këtij rregulli për 28 ditë nënkupton që ai nuk do të fillojë së zbatuari më 3 nëntor, por beteja ligjore për këtë çështje pritet të vazhdojë më gjatë.

Zyrtarët e administratës së presidentit Trump kanë thënë se imigrantët ligjorë kanë trefish më pak sigurime shëndetësore se qytetarët amerikanë dhe se taksapaguesit nuk duhet t’i mbulojnë shpenzimet e tyre, shkruan “BBC”.

Të ngjashme