Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktvendimin e Apelit, ku thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.
I gjithë procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.
Kështu, më 9 prill Gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.
Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.