Gjykata e Qarkut të Dubrovnikut ka vendosur sërish që Ismail Morina t’i dorëzohet Serbisë. Gjykata e mori këtë vendim në një procedurë të re pasi Gjykata Supreme të Kroacisë kishte anuluar vendimin paraprak për ekstradim të Morinës, i njohur si “Ballisti”.
Ai në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2014 kishte drejtuar një dron me simbole shqiptare dhe kjo kishte nxitur nacionalistët dhe huliganët serbë të sulmojnë lojtarët e kombëtares shqiptare. Ndeshja ishte ndërprerë.
Mediat serbe, duke iu referuar autoriteteve të drejtësisë në Dubrovnik, njoftojnë se avokati i Morinës është ankuar kundër vendimit të fundit të Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut.
Një zëdhënës i gjykatës i ka thënë Tanjugut se vendimi për ta ekstraduar Morinën është marrë më 17 gusht. Aty theksohet se janë plotësuar parakushtet ligjore për t’ia dorëzuar Morinën Serbisë. Morina ende gjendet në paraburgim në Dubrovnik.
Gjykata Supreme e Kroacisë më 10 gusht kishte shfuqizuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin lejohej ekstradimi i Morinës në Serbi dhe kishte kërkuar përsëritjen e procedurës.
Serbia e kërkon Morinën për shkak të veprës penale “të shkaktimit të urrejtjes fetare dhe nacionale”.
Morina kishte ardhur në Shqipëri në qershor pas vdekjes së të atit.