Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e një gjyqtari të EULEX-it për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të Trepçës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka gjetur të papranueshme kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Trepçën të paraqitur nga gjyqtari Werner K. Kannenberg.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e lë në fuqi Ligjin për Trepçën të miratuar më 8 tetor 2016. Në vendim tregohet se si shkoi Ligji për Trepçën në Kushtetuese.
Më 23 janar 2014 minatori B.B kishte paraqitur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës padi kundër ndërmarrjes Trepça për kompensim për dëmin e pësuar në punë. Më 25 shtator 2014 Gjykata Themelore e Mitrovicës e shpalli veten jo-kompetente dhe këtë rast ia dërgoi Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Ky rast më 23 shkurt 2016 iu nda për të vendosur gjyqtarit Werner K Kannenberg. Gjyqtari Werner K Kannenberg pretendonte se thelbi i jokushtetutshmërisë së Ligjit për Trepçën ka të bëjë me efektet negative të Ligjit për të Drejtat e Kreditorëve të cilët kishin padi kundër NSH- Trepça.
Lidhur me këtë gjyqtari Kannenberg pretendonte se padia e minatorit, B.B ndërlidhet me njësinë biznesore të Minierës së Kishinicës dhe Artanës.
Për këtë arsye, sipas tij vlefshmëria e Ligjit për Trepçën lidhje me rezultatin e lëndës si për trashëgiminë/identitetin ligjor të së paditurës, ashtu edhe nëse paditësi sipas ligjit është objekt i eksproprijimit jokushtetues pa kompensim.
Në vendimin e saj, Gjykatës Kushtetuese e Kosovës ka njohur të drejtën e gjyqtarit të EULEX-it për të ushtruar kontrollin incidental të paraparë me Kushtetutën e Kosovës, megjithatë, sipas saj, për të qenë kërkesa e pranueshme duhet të ekzistojë një lidhshmëri direkte mes çështjes që trajtohet në gjykatë dhe legjislacionit kushtetutshmëria e të cilit vlerësohet.
“Gjykata (Kushtetuese), rikujton se me nenin 113.8 të Kushtetutës, kontrolli incidental I kushtetutshmërisë është procedurë e vlerësimit të normave konkrete të specifikuara të ligjit dhe nuk është procedurë abstrakte e kontrollit të ligjshmërisë. Kushtetuta e Kosovës nuk ua njeh gjykatave të rregullta autorizimin për të referuar kërkesa të kontrollit abstrakt të akteve të legjislativit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Kontrolli incidental është instrument juridik që u mundëson gjykatave të rregullta që të parashtrojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë të ligjeve të caktuara.
Më tej thuhet se pasi që Gjykata Referuese (Gjykata Supreme Dhoma e Posaçme), nuk i ka mbështetur pretendimet e veta, kërkesa është e papranueshme.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme Ligjin për Trepçën e kishte vlerësuar jokushtetues.
Ligjin për Trepçën për vlerësim kushtetutshmërie e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe Lista Serbe. Edhe kërkesa e Listës Serbe ishte refuzuar.