Gjykata lëshon urdhërarrest për “Llepotën”

Prishtinë | 21 Gus 2024 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Astrit Mehmetit, i njohur me nofkën “Llepota”.

Burimet e Paparacit konfirmojnë se urdhërarresti është lëshuar të mërkurën dhe përfshin dy vepra penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Astrit Mehmeti, i njohur si “Llepota”, ka një histori të gjatë me organet e rendit, si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj.

Ai ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale dhe konflikte të armatosura.

Një nga ngjarjet më të rënda është konflikti i armatosur në diskotekën “Duplex” në nëntor të vitit 2019.

Ky incident rezultoi në plagosjen e katër pjesëtarëve të sigurimit të lokalit: Mentor Bogujevci, Arben Jashari, Kujtim Gashi dhe Arsim Shala.

Pas këtij konflikti të dhunshëm, Mehmeti arriti të shmangte arrestimin duke u arratisur në Spanjë, ku ai qëndroi për disa kohë.

Megjithatë, në prill të vitit 2021, autoritetet spanjolle arritën ta arrestonin atë, duke vepruar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar.

Të ngjashme