Gjykata e Lartë e Bangladeshit ka vendosur që grave nuk duhet t’u kërkohet më që të deklarojnë nëse janë të virgjëra në certifikatat e martesës pas fushatave të shumta, në kërkim të të drejtave të barabarta.
Sipas dokumentit të martesës myslimane, që quhet ndryshe Kabinnama, e cila daton përpara se Bangladeshi të arrinte pavarësinë në 1971, gratë duhej të deklaronin nëse ato ishin të divorcuara, vejusha ose “kumari”, një fjalë bengalisht që do të thotë “e virgjër”.
Aktivistët thanë se forma ishte “poshtëruese” për gratë, veçanërisht kur dhëndri nuk e kërkonte një certifikatë të tillë.
“Ne kemi paraqitur një peticion me shkrim sepse nëse dikush pyetet nëse është e virgjër apo jo, është kundër të drejtës së intimitetit të personit,” tha Ainun Nahar Siddiqua, një nga dy avokatet e përfshirë në këtë çështje.
Gjykatësit thanë se “kumari” duhet të zëvendësohet me fjalën “obibahita”, e cila në mënyrë të qartë dhe thjesht do të thotë “e pamartuar”.