Në ditën kur parashihej të shpallej aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen në “ Bon Vivant”, Gjykata Themelore në Prishtinë e rihapi shqyrtimin gjyqësor në procedurën e provave.
Trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini tha se shqyrtimi gjyqësor do të rihapet për marrjen e një prove që ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve në armë. Anëtarë të trupit gjykues janë Shpresa Hyseni e Arben Hoti.
“Rihapet shqyrtimi gjyqësor për shkak të vërtetimit të një prove në lidhje me ekzaminimin e vijave papilare të gishtërinjve të marra nga arma në mënyrë që të vërtetohet gjendja faktike”, tha kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.
Viktimë e kësaj vrasje në lokalin “Bon Vivant “, ishte roja e atij lokali, Rrahman Uka.
Për vrasjen e tij po gjykohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.
Prokurore e këtij rasti është Ferdane Sylejmani.