Kopshti “Yllka” në Prizren nuk do të mbyllet. Gjykata Themelore e Prizrenit ka dalë me një aktvendim me të cilin është caktuar masa e përkohshme e sigurisë duke i ndaluar Komunës së Prizrenit ndërrmarrjen e çfardo veprimi për të mbyllur Kopshtin “Yllka”. Drejtori i kopshtit, Mehmet Yeman kishte thënë se e gjithë kjo po bëhet qëllimshëm, ngase ai ka pikëpamje gyleniste. Por, Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka deklaruar se arsyeja se pse ishte kërkuar mbyllja e këtij kopshti është ngase kompania nuk i kishte reskpektuar kushtet e kontratës, shkruan Express.
Rreth 250 fëmijë kosovarë sa ishin të regjistruar në kopshtin “Yllka” në Prizren rrezikonin të mos kishin ku të ndjeknin mësimet e të mbesnin në shtëpi. E gjithë kjo ngase Komuna e Prizrenit, në krye me Mytaher Haskukën i kishte dhënë vetëm 1 orë kohë zyrtarëve të këtij kopshti që ta lironin objektin.
Pasditen e së hënës, Inspektorati i Punës i Komunës së Prizrenit, bashkë me zyrtarë policorë e kishin rrethuar kopshtin “Yllka” në këtë komunë, i cili udhëhiqet nga Mehmet Yeman, pikëpamjet e të cilit janë gyleniste.
Nga komuna e Prizrenit kishin urdhëruar stafi i këtij kopshti, që menjëherë të largohet nga objekti i çerdhes. Drejtori i këtij kopshti, Mehmet Yeman kishte thënë për Express se e gjithë kjo po iu bëhet atyre pa asnjë bazë ligjore.
Por, tash Gjykata Themelore e Prizrenit ka dalë më një aktvendim, në bazë të së cilit kopshti “Yllka” nuk do të mbyllet. Së paku përkohësisht, shkruan Gazeta Express.
Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim me të cilin është caktuar masa e përkohshme e sigurisë duke i ndaluar Komunës së Prizrenit ndërrmarrjen e çfardo veprimi për të mbyllur Kopshtin “Yllka”.
“Duke qenë se me datë 20.08.2018, zyrtarët Komunal në mënyrë kundërligjore dhe me këmbëngulje kërkonin mbylljen e kopshtit Yllka pa procedurë ligjore, ne i jemi drejtuar Gjykatës Themelore në Prizren duke kërkuar mbrojtje ligjore dhe si rezultat kemi marrë vendimin në fjalë i cili ia ndalon Komunës së Prizrenit ndërmarrjen e ndonjë veprimi për mbylljen e Kopshtit Yllka.
Duke qenë se me datë 20.08.2018 kemi qenë shumë të shqetësuar nga tendenca e zyrtarëve Komunal të Komunës së Prizrenit për mbylljen e kundërligjshme të kopshtit Yllka duke u referuar në një vendim të Kryetarit të kësaj komune dhe në mungesë të një vendimi Gjyqësor dhe duke parë se këtë shqetësim së bashku me ne e kanë ndarë shumë prindër tonë dhe qytetar të Prizrenit, përmes këtij njoftimi dëshirojmë të ju sigurojmë se e drejta ka rezultuar në anën tonë dhe se Gjykata Themelore në Prizren ka ofruar mbrojtjen ligjore të nevojshme”, kanë treguar nga Drejtoria e Kopshtit “Yllka” për Gazetën Express.
Por, deklarimet e Drejtorit të Kopshtit për atë se mbyllja e këtij kopshti po kërkohet pasi që ai ka pikëpamje gyleniste, I ka mohuar Kryetari I Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Haskuka përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se arsyeja se pse është kërkuar mbyllja e këtij kopshti ka qenë pasi që operatori ekonomik nuk I ka respektuar kushtet e kontratës. Madje, ai ka thënë se komuna ka vendosur që të shkëputet edhe marrëveshja me operatorin.
“Në bazë të rekomandimit të komisionit për vlerësimin e kontratës, në mes të Komunës së Prizrenit dhe të operatorit ekonomik për shfrytëzim të çerdhes “Yllka”, për shkak të mosrespektimit të kushteve të kontratës, është vendosur që të shkëputet marrëveshja me operatorin”, ka shkruar Haskuka.
Ai ka deklaruar se operatori ekonomik nuk e ka paguar qiranë, nuk ka investuar sa është zotuar, dhe se nuk ka pranuar të regjistrojë çdo vit nga 20 fëmijë të dëshmorëve e veteranëve pa pagesë, aq sa e ka obligim dhe se kanë hapur paralele shkollore në hapësirat e qerdhes në kundërshtim me kontratën.
Tutje, Haskuka ka thënë se çerdhja “Yllka”, do të mbetet institucion parashkollor.
“I sigurojmë prindërit dhe fëmijët se çerdhja “Yllka” do të mbetet institucion parashkollor, ashtu si ka qenë gjithmonë, por Komuna e Prizrenit është e vendosur që të gjitha kontratat me operatorët ekonomikë të zbatohen me përpikëmëri, pa përjashtim”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, nga Drejtoria e Kopshtit kanë deklaruar se ata do të vazhdojnëë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë si dhe duke përmbushur obligimet që kanë marrë sipas Kontratës për koncension, i cili është dhënë vite më parë nga komuna e Prizrenit.
E rreth këtij aksioni, nga policia e Kosovës, ishin shprehur se nuk ky rast nuk ka të bëjë me ndonjë veprim policor. Vesel Gashi nga policia e rajonit të Prizrenit i tha Expressit se kjo është çështje e inspektoratit të komunës.
“Nuk ka ndonjë aksion të policisë. Është çështje e inspektoratit të punës. Ata janë duke e zbatuar një urdhër të komunës. Policia vetëm i asiston komunës, por kjo çështje nuk është kompetencë e policisë. Pra nuk ka të bëjë me ndonjë veprim policor”, ka thënë për Express, Vesel Gashi nga policia e rajonit të Prizrenit.