Kryeprokurori i Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës të bëra nga UÇK-ja, David Schwendiman, është takuar me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ndër të tjera kryeprokurori i Speciales ka kërkuar të hapë një zyrë në Beograd.
Daçiq është shprehur i kënaqur për formimin e Gjykatës Speciale, pasi si kërkesë e Serbisë është që të hetohen në mënyrë të barabartë krimet kundër serbëve, për të cilat Daçiq thotë se deri tash nuk ka ndodhur, transmeton Koha.net.
Daçiq i ka ofruar mbështetje logjistike dhe ligjore Gjykatës Speciale, duke shpresuar që të fillojë së shpejti punën.
Schwendiman, sipas mediave serbe, ka thënë se pret bashkëpunim me institucionet e Qeverisë së Serbisë. Më tej ai ka shtuar se pas katër vjetësh hetim, pret të dalë me një aktakuzë konkrete.
“Viktimat dhe të mbijetuarit duhet të marrin dëmshpërblim dhe të trajtohen”, citohet të ketë thënë Schwendiman.
Kryeprokurori i Speciales ka thënë se pret mbështetje që të hapë edhe një zyrë në Beograd, e cila do të përdorej për qasje më të lehtë të dëshmitarëve dhe dokumente, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.