Kuvendi i Kosovës nisi procedurat ligjore për formimin e një komisioni ad-hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nismat ligjore për inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, e sheh këtë iniciativë të vonshme, mirëpo përpjekje të fundit që të punohet në këtë drejtim.
Ai për Ekonomia Online, shton se Instituti për Krime të Luftës, i mbyllur vitin e kaluar, duhet të rihapet dhe të vazhdojë punën për evidentimin e të gjitha krimeve të luftës.
“Kosova mundet me propozuar këtë, por Kosova jonë është dashtë prej përfundimit të luftës, kur them Kosova jonë, mendoj pushtetarët tanë, njerëzit të cilët kanë pozita të rëndësishme të kenë punuar më tepër në aspektin e grumbullimit, evidentimit, sistemit dhe të publikimit të të gjitha krimeve shumë të mëdha masovike që janë kryer në Kosovë gjatë luftës. Mjerisht ajo nuk është bërë”.
“Edhe pse kanë kaluar tash 20 vjet prej luftës kjo është koha e fundit që të punohet në këtë drejtim. Kjo mund të bëhet vetëm me një vullnet politik të mirëfilltë, me një angazhim dhe me rithemelimin e Institutit për Krime të Luftës në të cilin do të punonin kuadro të duhura dhe të cilët do t’i evidentonin të gjitha krimet sidomos krimet e vrasjeve masovike që kanë ndodhë dhe të faktohen edhe krimet tjera, siç janë ato shumë të ndjeshme, abuzimet seksuale ndaj femrave, pastaj dëmet ekonomike etj. E, pas 2-3 viteve punë të kërkohet edhe formimi i një gjykate për krimet që kanë kryer pala serbe”.
Ndërsa, mbylljen e këtij Instituti, ai e ka quajtur dështim institucional, pasi sipas tij, ai është dashur të fuqizohet më shumë dhe të punojë për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Unë kam punuar afër 7 vjet në Institutin për Krime të Luftës dhe për të qenë ironia më e madhe, në vend që të fuqizohet ky institut, që kemi qenë shtatë vetë, në vend që të punojnë 15 vetë aty dhe t’iu krijohen kushtet maksimale që t’i evidentojnë të gjitha krimet, mjerisht ajo në korrik të vitit të kaluar është mbyllë me një dekret të posaçëm dhe është shndërruar në njëfarë instituti që emërtohet Departament për Drejtësinë Tranzicionale, në të cilën do punojnë tre vetë për krimet të luftës dhe tre vetë për krime të rëndomta. Faktikisht në aspektin institucional shtetëror kjo është një dështim”.
Salihu e sheh me rrezik përgatitjen e Serbisë në Gjykatën Speciale kundër Kosovës, ndërsa shtoi se pala kosovare duhet të ketë angazhim më të madh dhe të jenë më të organizuar.
“Këtu është edhe një ironi e kësaj situate. Serbia prej përfundimit të luftës me qindra njerëz ka angazhuar për krimet që janë kryer në Kosovë, kuptohet edhe disa krime janë kryer ndaj palës serbe se aty ka qenë luftë, kanë glorifiku ato dhe tani ata kanë një material me të dhëna rreth 500 mijë faqe të cilat do t’i përdorin tash në Gjykatën Speciale dhe ajo disi të prezantohet si viktimë e jo si agresor çfarë ka qenë. Kjo është një ironi dhe rrjedhojë e mosangazhimit, mospunës tonë të duhur”, tha Salihu për EO.
Ish-drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, tha se nuk mjafton që deputetët të përgatisin një rezolutë që ndëshkon krimet e luftës, por që kjo duhet të rregullohet edhe me ligj.
“…unë vitin e kaluar kam propozuar që të parashihet si vepër penale e posaçme e cila dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vjet. Mendoj që është bë një lëshim që nuk e kemi parapa këtë por unë mendoj që zgjidhja e vetme përveç gjykimit politik me anë të rezolutave të Kuvendit, kjo çështje duhet të rregullohet edhe me ligj”.
Mohimin e krimeve të luftës, ai e parasheh që të rregullohet si vepër penale me një apo disa nene të veçanta.
“Meqë tash kanë përfunduar amendamentet e Kodit Penal mendoj se kjo mund të bëhet edhe me një ligj të veçantë, me një nen apo disa nene në të cilët do parashihet si vepër penale, mohimi i krimeve të cilat janë kryer në Kosovë, krime të cilat janë të faktuara, të konstatuara jo vetëm prej organizatave ndërkombëtare por edhe prej tribunalit të Hagës. Prandaj, mendoj se edhe deputetët tanë, përkatësisht Ministria e Drejtësisë duhet të fillojë iniciativën, t’i thërrasë ekspertë të cilët duhet ta formojnë këtë dispozitë me të cilën do të parashihet sivjet për penale mohimi i këtyre krimeve, për shkak se është vërtetë një temë shumë e rëndë sidomos për familjarët e viktimave por edhe për ne, për tërë Kosovën”.
Kurse, sa i përket dialogut me Serbinë dhe delegacionit shtetëror si dialogues në këtë proces, Salihu tha se krahas aspektit politik, delegacioni duhet të përfshijë edhe ekspertët të cilët do të mund të adresojnë në mënyrë të duhur çështjen e krimeve të luftës, raporton Ekonomia Online.
“Ky komision duhet ta ketë edhe grupin e ekspertëve të lëmisë juridike, politike, ekonomike, mjedisore etj, dhe këta të jenë një suport i rëndësishëm për të biseduar me palën serbe sepse këto çështje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe për këtë arsye ky delegacion duhet të shkojë i përgatitur në të gjitha aspektet. Pala serbe punon shumë më tepër, pala serbe i ka ekipat e ekspertëve, nuk shkon në këso bisedime, jo vetëm pala serbe por asnjë tjetër, kur flitet për çështje të rëndësishme për kombin, shtetin, sovranitetin, integritetin territorial, janë çështje madhore, ekzistenciale të një shteti, edhe për ne në këtë rast, prandaj duhet me një seriozitet më të madh t’i qasemi kësaj pune”.
Kuvendi me 15 prill ka miratuar me 66 vota për, formimin e komisionit Ad Hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës.