Gjykata Supreme aprovon padin e KDI-së, shfuqizohet kufizimi në kohë i të drejtës për kompensimin e udhëtimeve zyrtare

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e paraqitur kundër të paditurës, Qeveria e Kosovës. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 6 paragraf 6 i Rregullores (QRK) nr.06/2023 për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI, në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi, në muajin korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendosë kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj.

Por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon thelbin e së drejtës së garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Si përfundim, Gjykata Supreme, shfuqizoi këtë nen të paligjshëm.

Të ngjashme