Nën organizimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, është mbajtur takim ndërinstitucional i krerëve të gjyqësorit dhe prokurorisë, i fokusuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me paraburgimin, sekuestrimin dhe konfiskimin, si dhe në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, si dhe Ambasadorit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Në fjalën e tij, Kryetari Rexhepi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional ndërmjet gjyqësorit dhe prokurorisë për garantimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ai vlerësoi se forumet e përbashkëta profesionale krijojnë mundësi për identifikimin e sfidave praktike, shkëmbimin e përvojave dhe gjetjen e zgjidhjeve që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së vendimmarrjes.
Duke falënderuar OSBE-në dhe ambasadorin McGurk, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë gjyqësorit, kreu i Supremes vlerësoi se “përmes dialogut profesional dhe koordinimit institucional sigurojmë zbatim më të njëtrajtshëm të ligjit, respektim të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe forcim të pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë”.
Gjyqtarët e Gjykatës Supreme prezantuan të gjeturat nga punëtoritë e zhvilluara me gjykatat themelore dhe Gjykatën e Apelit, duke vënë në pah sfidat dhe praktikat e identifikuara në trajtimin e rasteve të paraburgimit.
Në vazhdim u diskutuan aspektet e përgjithshme të paraburgimit, me fokus në zbatimin e standardeve ligjore dhe jurisprudencës relevante, pasuar nga një diskutim i hapur ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse.
Pjesa e dytë e takimit iu kushtohet çështjeve të sekuestrimit dhe konfiskimit, ku do të trajtohen problematikat e identifikuara në praktikë.
Nga ky takim, pritet të nxirren konkluzione dhe rekomandime konkrete për avancimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale, duke riafirmuar përkushtimin e institucioneve të drejtësisë për bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

