Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve në Deçan.
“Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje këtë e ka quajtur fitore kundër degradimit të natyrës dhe jetës së banorëve në atë pjesë
“Kjo njëherit inkurajon angazhimin individual e kolektiv për beteja të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes po angazhohen për ta mbrojtur mjedisin si përmes Kuvendit të Republikës ashtu edhe përmes nismave të tjera vendore e ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.