Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë në datën 24 dhjetor të vitit 2020, e ka shpallur serbin nga Çagllavicë Nenad Arsiqin, fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile2 sipas dy pikave dhe ia ka shqiptuar dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh.
Vendimi i gjykatës është shpallur pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor të hapur në lëndën Prokurori kundër Nenad Arsiqit, lidhur me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës – ZPSK (PPS. nr. 01/2016 e datës 6 dhjetor të vitit 2019).
Në arsyetimin e shkurtë të vendimit të vet, trupi gjykues ka thënë se ai është sjellë në bazë të dëshmive të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, duke shtuar se deklaratat e dëshmitarëve/të dëmtuarve e kanë identifikuar të akuzuarin si person, i cili gjatë konfliktit të armatosur me persona të tjerë të paidentifikuar, në datën 21 maj të vitit 1999 ka qenë në pronën e tyre në lagjen Emshir/Emšir, në Prishtinë se në bashkëkryerje me të tjerët ka marrë pjesë në shkatërrimin dhe uzurpimin e pronës së tyre, me ç’rast iu janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, si edhe se në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile. Gjykata, me rastin e llogaritjes së dënimit ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të parapara me nenin 41 të LP të RSFJ-së.
I akuzuari, gjatë kohës së zhvillimit të shqyrtimit kryesor ka qenë në paraburgim, i cili ka qenë i caktuar nga momenti i privimit nga liria, në datën 22 tetor të vitit 2019 dhe i cili i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin e të akuzuarit Arsiq, i cili është hapur në datën 22 qershor të vitit 2020. Në bazë të monitorimit të gjykimit dhe analizës së dokumentacionit gjyqësor publik në dizpozicion në këtë lëndë, FDHK gjen se dëshmitarët/të dëmtuarit me deklaratat e tyre gjatë shqyrtimit kryesor e kanë vërtetuar praninë e të akuzuarit Arsiq në ditën kritike