Avokati Granit Vokshi, në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se gjykatat vendore nuk kanë kapacitete që të merren me lëndët e transferuara nga EULEX-i.
Vokshi thotë se me tkurrjen e mandatit të këtij misioni pas qershorit të vitit të kaluar është zvogëluar edhe numri i gjyqtarëve ndërkombëtar, por numri i gjyqtarëve vendor ka mbetur i njëjtë.
Sipas tij, kjo po u pamundëson palëve gjykim në kohë dhe afat të arsyeshëm e ligjor.
“Numri i gjyqtarëve të EULEX-it është shkurtuar në masë të madhe, por numri i gjyqtarëve kosovar nuk është rritur, andaj konsideroj se gjyqësori sidomos gjykata e Prishtinës e në veçanti Departamenti i Krimeve të Rënda për momentin me kapacitetet që i ka nuk mund ti trajtoj këto raste për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjyqtarëve”, ka thënë Vokshi.
Ai vlerëson se me këtë rast po shkelen të drejtave të njeriut për shkak të prolongimeve të jashtëzakonshme të procedurave.
“I gjithë ky proces po karakterizohet me komplikime të mëdha dhe me shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Deri më tani në këto raste kemi pasur vetëm një ftesë për një seancë e cila nuk është mbajtur dhe është shtyrë për shtator”, u shpreh Vokshi.
Këshilli Gjyqësor duhet që sa më shpejtë të bëjë një zgjidhje sa i përket shtimit të numrit të gjyqtarëve në mënyrë që të evitohej një kolaps i mundshëm.
“Nëse do të vazhdohet në këtë formë besoj se kjo shkon drejt kolapsit e jo drejt arritjes së drejtësisë e cila do të ketë kundër efekt. Këshilli Gjyqësor do të mendoj seriozisht për këtë punë sepse në këtë formë vërtet jemi para një kolapsi total”, tha avokati Vokshi.
Në bazë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar misioni më i madh i sundimit të ligjit të BE-së, ka mandat në Kosovë deri në qershor të vitit 2018.
Përveç zvogëlimit të stafit kompetencat e misionit u tkurrën pas kësaj marrëveshje, EULEX mund të merret me raste të reja vetëm pas aprovimit të kërkesës nga institucionet vendore, por edhe në periudhë dy vjeçare ka pas për obligim që të transferojë lëndët tek vendorët.
Sipas të dhënave zyrtare nga ky mision në Kosovë deri në fund të muajit maj të vitit të kaluar EULEX është përfshirë në faza të ndryshme të procedurës në 1.350 raste, prej tyre 854 raste të pazgjidhura.
Me 213 raste për krime lufte, 143 të krimit të organizuar, 75 korrupsion, 16 kundër terrorizmit, 16 kundër krimit financiar.
Po në këtë periudhë EULEX ka qenë i përfshirë në 108 rase: 40 krime lufte, 40 të krimit të organizuar, 15 të korrupsionit, 7 kundër terrorizmit dhe 6 krime financiare.