Gjykata e Prishtinës nuk ka arritur ta gjejë vendndodhjen e këngëtares Adelina Ismaili.
Ajo ishte paraparë që sot të dëshmonte në gjyqin ndaj Enver Sekiraqës për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, por sipas gjykatës dorëzuesi nuk ka arritur ta gjejë adresën se ku jeton Adelina Ismaili, ndërsa numrat e saj të telefonit nuk janë të qasshëm.
Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti në fillim të seancës njoftoi se në cilësinë e dëshmitares ka pasur të dëgjohet Adelina Ismaili.
Gjykata ka dërguar ftesë por nga shpërndarja e postës, Gjykata është njoftuar se dëshmitarja nuk ka një adresë të re dhe numrat e telefonit nuk janë valid, shkruan kallxo.com.
“Gjykata ka dërguar ftesë dëshmitares, por nga shpërndarja e postës, jemi njoftuar se adresa dhe numrat e telefonit nuk janë valid”, tha kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.
Më pas trupi gjykues i pyeti palët nëse pajtohen që deklaratat e dëshmitares Adelina Ismajli të konsiderohen si të lexuara pasi është bërë një kohë të gjatë që nga koha e zhvillimit të gjykimit.
Prokurori special Haki Gegaj tha se dëshmitarja që ka pasur të dëgjohet sot është një dëshmitare shumë e rëndësishme.
“Nga shkresat e lëndës që unë disponoj, ajo ka dhënë deklarata në polici, në prokurori, po ashtu ka dhënë deklaratë në shqyrtimin gjyqësor të kësaj çështje penale. Unë e di që ka vështirësi me këto ndërrimin e adresave. Unë mendoj se nëse mbrojtja dhe të pandehurit pajtohen, unë do të isha pajtuar që të lexohen deklaratat e saj që i ka dhënë në fazat e mëhershme të procedurës penale”, tha prokurori Gecaj.
Avokatja Kosovare Kelmendi deklaroi se pajtohet me lexim e deklaratës së dëshmitares e dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësore për faktin se gjatë atij gjykimi dëshmitarja në fjalë është sqaruar edhe me deklaratat e saj që i ka dhënë në fazat e mëhershme.
“Andaj unë vetëm do të lusja trupin gjykues që gjatë leximit të deklaratave të kësaj dëshmitare të ketë parasysh vetëm rrethanat në lidhje me pikën 1 të aktakuzës”, tha avokatja Kelmendi.
Lidhur me këtë Gjykata mori aktvendim dhe aprovoi kërkesat e prokurorit që deklaratat e dëshmitares Adelina Ismjali të dhëna në të gjitha fazat e procedurës të konsiderohen si te lexuara.
Gjithashtu trupi gjykues bëri të ditur se në këtë proces gjyqësorë janë edhe katër dëshmitarë që do të dëgjohen në seancat e radhës: Ema Ismjali, Zanfina Ismajli, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.
Avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, Kosovare Kelmendi e kundërshtoi që në seancat e radhës të dëgjohet dëshmitari Shpend Qerimi.
“Në fazat e mëhershme i kam kundërshtuar Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, qysh në fazat e hershme të ngritjes se aktakuzës. Unë propozoj që Shpend Qerimi mos të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje penale, sepse ky dëshmitari sikur Besnik Hasani nuk mund të jetë dëshmitar objektiv, madje as në betim për faktin se janë persona të cilët kanë tentuar ta vrasin të akuzuarin tim Enver Sekiraqa, duke kryer veprën penale që është i njohur shpërthimi në rrugën Bill Klinton”, tha ajo.
“Persona të njohur për vrasje të pesë-fishta, mbrojtja e ka dyshimin edhe në kredibilitetin e tyre. Aq më tepër ky dëshmitar, Shpend Qerimi nuk ka fare relevanc me objektin e akuzës. Qëndron fakti se në gjykimin e kaluar, prokurori ndërkombëtar në mungesë të provave direkte është munduar gjithsesi të mbledh copëza rrethanore. Por, dëshmitarët të cilët nuk kanë lidhje kauzale apo direkte me objektin e akuzës që është në piken 1 të aktakuzës dhe mbrojtja e kundërshton këtë propozim për dëgjimin e dëshmitarëve”, deklaroi avokatja e të akuzuarit Enver Sekiraqa.
Prokurori Special Haki Gegaj në lidhje me propozimin e avokates Kosovare Kelmendi tha se e ka dhënë propozimin për dëshmitarët të dëgjohen në këtë çështje penale dhe çështjet kredibilitetit dhe objektivitetit do t`i vlerësoj trupi gjykues.
Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti aprovoi propozimin e prokurorit special që në seancat e radhës të dëgjohen dëshmitarët Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi
Enver Sekiraqa po gjykohet nën akuzat e prokurorisë për nxitjen e vrasjes së policit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës Triumf Riza. Sekiraqa në vitin 2016 ishte dënuar me 27 vjet burg.
Rasti u kthye në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes, Kosovare Kelmendi.
Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen ‘Santea” më Prishtinë