Gjykatësi Kadolli: Institucionet nuk u raportojnë gjyqtarëve për zbatimin e masave në rastet e dhunës në familje

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor u tha se gjatë 2025-ës u trajtuan  një mijë e 13 raste të dhunës në familje, ndërsa u zgjidhën 1 mijë e 32 raste, raporton Ekonomia Online. Aty koordinatori për rastet e dhunës në familje, gjyqtari Dardan Kadolli, raportoi për periudhën njëvjeçare të vitit 2025, duke theksuar se institucionet zbatuese nuk i raportojnë gjyqtarëve për zbatimin e masave të caktuara ndaj personave.

“Ka një shkëputje mes vendimit kur lëshohet masa dhe raportimit nga institucionet shëndetësore, dhe shpeshherë nuk e dimë nëse masa e trajtimit psikosocial po zbatohet, sepse nuk raportohet dhe mbetet në iniciativë të gjyqtarit të interesohet”, tha ai.

Po ashtu ai tha se nga analizat e bëra nga ekspertët tregojnë se mungon koordinimi institucional për zbatimin e masave që gjykata shqiptojnë ndaj individëve.

“Ka pasë raste ku gjykata në përgjithësi kanë lëshu vendime, mirëpo ka munguar trajtimi institucioneve të tjera, në këtë rast është urdhëruar masa të caktuara nga gjyqtarët, nga shërbimet e tjera, policia nuk ka mbikëqyr rastin si dhe nëse janë lëshu  masa tjera në raport me kryesin që kanë të bëjnë me masa të trajtimit psikiatrik. Ta zëmë nga institucionet shëndetësore nuk ka pasë përcjellje të rastit”, nënvizoi ai.

Por një rezultat i mirë në trajtim të rasteve të dhunës në familja është treguar edhe me fillimin e mbikëqyrjes elektronike.

“Për sa i përket përcjelljes së rastit tani në vitet e fundit, konkretisht në 2025 përmes fillimit  të aplikimit të mbikëqyrjes elektronike janë arrit disa rezultat mjaftë të mira. Kjo ka ndiku që me vendosjen e çipave që janë përcaktuara…ka ndikuar te kryesit e veprave që ata janë në mbikëqyrje, sigurohet të ketë siguri për viktimat si dhe gjykatat të përcjellin përmes policisë rastet kur janë shkel ato raste”, vlerësoi Kadolli.

Kadolli tha se megjithatë, se gjatë vitit që lamë pasë nuk është vërejtur të ketë pasë tejkalime të afateve kohore për trajtimin e këtyre rasteve.

“Pengesa kryesore që mund të dërgojnë te zvarritja e rasteve apo prolongimi i zgjidhjes ka të bëjë me sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë. Në vitin 2025 për veprën penale dhunë në familje janë pranuar gjithsej 1,013 raste kur janë zgjidhur 1,032. Të mbetura janë 900, efikasitet 102 për qind, pra thirret për efikasitet mjaft të madh. . Kurse për rastet me urdhërmbrojtje janë pranuar 1,126 raste kurse të zgjidhura 1,131 raste. Edhe këtu efikasiteti është mbi 100 për qind”, tregoi Kadolli.

Ai ka thënë se kanë ndikuar fushatat vetëdijësuese që rastet e dhunës të raportohen në polici.

Përshtypja ime  si koordinator që i përcjelli këto raste është se fushatat vetëdijësuese kanë ndihmuar në raportim. Pra, nëse në vitin 2020kanë qenë të pranuara 670 raste ekziston dyfishi i rasteve këtë  vit. Pra, dhuna nuk është që është rritur, mirëpo fushata vetëdijesuse kanë ndikuar që t’iu drejtohen gjykatave për kërkesë dhe raportim në polici.

Ndërsa gjyqtari Agim Maliqi, i cili mban pozitën e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Procesit të Përgjimeve të Komunikimeve, raportoi për periudhën njëvjeçare të vitit 2025, duke thënë se ligjet që rregullojnë komunikimet po zbatohen dhe se gjatë  kësaj periudhe ka mbajtur takime të rregullta me zyrën ndërlidhëse që funksionon pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ju e dini që përgjimet janë dy lloje. Përgjime për nevoja të procedurës penale, dhe përgjime për nevoja të sigurisë së shtetit, përkatësisht që  i kryen AKI. Kjo me në një formë, janë komunikimet më të shpeshta, ne i bëjmë përmes zyrës së ndërlidhjes. Kemi thash, takime pothuajse permanentë, kemi bërë edhe kontrollimet me qëllim  që të shohim a po shkon mirë procesi i përgjimeve elektronike dhe kemi konkloduar se sa herë që kemi lëshu, që gjitha ato parametra dhe gjitha dokumentacione dhe regjistrimi në libra përkatës është në formë mjaft të mirë dhe nuk  kemi hasur në ndonjë problematikë në rastin e përgjimeve elektronike”, tha ai.

Në këtë mbledhje, kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj, raportoi për periudhën njëvjeçare të vitit 2025, duke theksuar se është tejkaluar plani i punës i Komisionit me miratimin e 25 akteve normative, duke tejkaluar objektivin që e kishin për 19 akte.

Të ngjashme