Gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Muzeut, eksperti thotë se s’është dëmtuar buxheti i MKRS-së

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Eksperti financiar, Vehbi Imeri tha se sipas mendimit të tij të dhënë në ekspertizë, nuk është dëmtuar buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në rastin ku ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj akuzohet për korrupsion.

Ndryshe, më 8 dhjetor 2021 ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje, por kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltëne Murseli e kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor.

Deri te rihapja e shqyrtimit gjyqësor, kishte ardhur pasi trupi gjykues ka vlerësuar se në rastin konkret, meqenëse aktakuza i referohet kontratave si dëm, është e nevojshme t’i përcaktohet dëmi MKRS-së nga eksperti financiar, me qëllim të vërtetimit të plotë të gjendjes faktike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në seancën e sotme, paraprakisht është lexuar një pjesë e ekspertizës së ekspertit Imeri, në të cilën kishte theksuar se nuk ka pasur dëm buxheti i MKRS-së.

Por, pasi që ka kaluar më shumë se tre muaj nga shqyrtimi i fundit, gjykatësja Murseli deklaroi se konform dispozitës së nenit 301, ky shqyrtim fillon rishtazi, por me pajtimin e palëve u konsideruan të lexuara të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani.

Tutje, eksperti është pyetur nga prokurorja Dulina Hamiti nëse kontratat që janë objekt i akuzës janë lidhur konform me ligjin e prokurimit.

Kjo pyetje u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Boshtrakaj, avokati Vigan Rogova, me arsyetimin se detyra e ekspertit ka qenë vetëm të konstatojë nëse ka pasur dëm.

Më pas, kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues, për çka eksperti tha se sipas detyrave që i janë caktuar në këtë pyetje kërkohet një përgjigje në aspektin juridik, për çka nuk bie në domenin e ekspertit financiar të interpretojë se a është bërë një procedurë e prokurimit apo jo.

Ai shtoi se në ekspertizë është përshkruar metoda e cila është përdorur gjatë kryerjes së këtyre punimeve, realizimit të këtij projekti, e që sipas tij është ndërtuar sipas kërkesave të projektit që kanë dalë gjatë procesit të ndërtimit.

“Vet lidhja e këtyre 3 kontratave në faza të caktuara, nënkupton se këtu është kry një punë e cila i kam dhënë informatat në ekspertizë, si dhe vlerat janë përcaktuar për secilën kontratë në ekspertizë, nga kjo ka rrjedh që sipas mendimit tim nuk është dëmtu buxheti i MKRS-së”, tha eksperti Imeri.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Adnan Jusufi, se në bazë të ekspertizës a nuk ka mundur të konstatohet dëmi apo nuk ka pasur fare dëm, Imeri tha se projekti është realizuar më lirë sesa është parashikuar dhe nga kjo rrjedh se sipas mendimit të tij nuk ka pasur dëm.

“Duke pas parasysh se vlera në paramasa dhe parallogaritje që të realizohet ky projekt ka qenë 779 mijë e 75 euro, ndërsa vlera e 3 kontratave ka qenë 310 mijë e 792 euro e 12 centë, nga kjo rezulton se për 468 mijë e 282 euro e 88 centë, projekti është realizu më ulët sesa është parashiku”, tha Imeri.

Pasi që nuk kishte propozime për prova të reja, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.

Prokurorja Hamiti deklaroi se lidhur me këtë çështje ka paraqitur fjalën përfundimtare dhe të njëjtën e ka elaboruar, duke shtuar se mbetet në tërësi pranë saj.

Ajo shtoi se mbetet pranë aktakuzës kundër të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar – MKRS, Vjollca Aliu, në fjalën e saj përfundimtare tha se në bazë të ekspertizës financiare është vërtetuar se MKRS nuk ka pësuar dëm material.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Boshtrakaj, avokati Rogova, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, duke shtuar se në seancën e sotme është vërtetuar se veprimet e të mbrojturit të tij nuk formojnë tipare të veprës penale për të cilën ai ngarkohet.

“Për të ekzistuar vepra penale është e nevojshme sigurimi për vete ose për tjetrin i çfarëdo përfitimit ose shkaktimit të dëmit të personit tjetër, nga pretendimet tona të këtij shqyrtimi kryesor e që është konstatu edhe në ekspertizën financiare, i mbrojturi im nuk ka pas asnjë përfitim dhe nuk i është shkaktuar asnjë dëm buxhetit të ministrisë”, tha Rogova.

Ai propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, pasi që sipas tij nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Deklarimi i avokatit Rogova u mbështet edhe nga vet i akuzuari Boshtrakaj.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje u caktua më 10 qershor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 dhjetor 2020 kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ky vendim i nxjerrë nga shkalla e parë ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, më 21 dhjetor 2020, duke konfirmuar kështu aktakuzën ndaj Boshtrakajt.

Sipas aktakuzës së 2 shtatorit 2020, Skender Boshtrakaj në cilësinë e drejtorit të Muzeut të Kosovës, me dashje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “TIKI”, SH.P.K, e cila gjendet në Prishtinë.

Në aktakuzë, thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik në Kosovës, kishte anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit, ku me kompaninë e lartcekur kishte lidhur kontrata për furnizim në shumë prej 208 mijë e 894 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, Boshtrakaj, më 2 shkurt 2018, kishte nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 39 mijë e 706 euro dhe më 23 prill 2018, kishte nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 20 mijë e 840 euro, me vlerë totale prej 269 mijë e 444 euro.

Për këto veprime, i njëjti dyshohet se buxhetit të të dëmtuarës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 269 mijë e 444 euro.

Të ngjashme