Dëshmitari Naim Elshani ka rrëfyer se si në një moment, derisa ishin të mbështetur për muri, dy paramilitar serbë e kishin marrë dhe dërguar në një grumbull prej 30 kufomash, ku kishte humbur ndjenjat dhe më pas e kishte parë vetën të mbuluar me njërën nga to.
Këtë deklarim Elshani e bëri në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në Istog, Ekrem Bajroviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se përkundër kërcënimeve nga komandanti i stacionit policorë në Gurakoc, Millosh Stojkoviq që të lëshojnë shtëpitë e tyre nga fshati, ata kishin rezistuar duke mos u larguar.
Më pas dëshmitari Elshani tha se duke e parë gjendjen e rënduar nga lufta përreth fshatrave, kishin vendosur të largohen nga shtëpitë e tyre më 7 maj 1999, për të vijuar rrugën për në Shqipëri, ashtu edhe siç ishin urdhëruar nga paramilitarët serb.
Ai tha se në një moment ishin grumbulluar rreth 30 mijë njerëz në një livadh të madh, të cilët sipas tij, ishin civil nga Peja dhe Drenica.
Tutje, ai tha se në një moment ishin ndaluar nga paramilitarët serbë që ishin të armatosur dhe ishin vendosur përreth një muri të një shkollë në rrugën për qytetin e Klinës për t’i plaçkitur, dhe sipas tij, këta paramilitar aty në mes të oborrit e kanë rrahur personin me emër Hasan Elshani.
Elshani tha se arsyeja e maltretimit të Hasan Elshanit qëndron ngase të njëjtin sistemi i atëhershëm serb e akuzonte për bartje të armeve ilegalisht.
Gjithashtu, Elshani deklaroi se në një moment kur ishte mbështetur për muri e kishte parë të akuzuarin Bajroviq të veshur me uniform të policisë dhe se nga personat që ishin të mbështetur për muri e kishte tërhequr për ta shpëtuar personin me emrin Ahmet Elshanin.
Dhe krejt kjo sipas dëshmitarit Elshani, ishte bërë pasi që gruaja e Ahmet Elshanit ishte me nacionalitet boshnjak, siç është edhe i akuzuari Bajroviq.
Tutje, dëshmitari Elshani tha se në një moment derisa ishin të mbështetur për muri dy paramilitar serbë e kishin e kishin marrë atë për të vozitur traktor, por se më pas e kishin dërguar në një grumbull kufomash, ku sipas tij, ishin rreth 30 persona të vrarë.
I njëjti tha se me të parë ato kufoma ishte ndaluar dhe ishte lutur që Zoti ta ndihmoi pasi që dy paramilitaret serbë i kishte parë të parapërgatitur për ta ekzekutuar.
“E bana ni lutje, dhe thash o Zoti im nëse ka Zot të lutem më ndihmo”, tha Elshani.
Pas kësaj situate, Elshani tha se nuk kishte ndjerë dhimbje apo krismë dhe se pavetëdije e kishte parë vetën mbi kufomat e njerëzve sa që ishte i mbuluar me njërën nga to.
Më pas ai tha se e kishte parë veten në pasqyrë se nuk ka faqen.
Elshani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurori special, Ilir Morina tha se vetëm një herë gjatë luftës e kishte parë të akuzuarin Bajroviq dhe atë te momenti kur kishte shpëtuar personin Ahmet Elshani, e që që tash sipas tij është i vdekur.
Ndërkaq, Elshani shtoi se të akuzuarin Bajroviq e njeh edhe para luftës dhe se me të nuk kishte asgjë të keqe.
Gjatë deklaratës së tij, dëshmitari Elshani rrëfeu se si dy paramilitar serbë në një moment derisa ishin të mbështetur për muri e shtynin drejt zjarrit një person për ta djegur.
Paraprakisht në këtë seancë u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori Morina tha se sot po kërkohet drejtësi për 16 civilët e vrarë shqiptarë nga forcat policore dhe ushtarake serbe e që në mesin e tyre ishte edhe i akuzuari Bajroviq.
Tutje, Morina tha se në gjykatë do të dëgjohen dy kategori të dëshmitarëve dhe atë dëshmitarët okular në vendin ku ka ndodhur krimi dhe kategoria e dytë që do të flasin për personaliteti, sjelljet e të akuzuarit para gjatë dhe pas luftës.
Gjithashtu disa fjalë patën edhe të dëmtuarit, ku njëri nga ta, Adem Geca tha se është një nga 220 profesorët e rrahur nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, e që pjesë e tyre sipas tij, ishte edhe vet i akuzuari.
“Unë jam viktimë e tij direkt, na ka lënë të gjithëve me pasoja”, tha Geca.
Kurse i dëmtuari tjetër, Ylber Lipa tha se ka të vrarë 8 anëtar të familjes gjatë kohës së luftës në Komunën e Istogut.
Ndërkaq, i dëmtuarit, Dyldy Shala rrëfeu një rast se si ishin mbyllur disa civil shqiptarë ku dëgjoheshin të bërtiturat e tyre dhe plumbat nga maltretimet që i bëheshin prej paramilitarëve serbë.
Tutje, fjalën hyrëse e dha mbrojtësi i të akuzuarit Bojrovqit, avokati Ljubomir Pantoviq, i cili tha se synimi i mbrojtës në këtë rast është që të dëshmojnë se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kryes i veprës penale për të cilin akuzohet.
Pantoviq tha se nuk mohojnë krimet e kryera në Staradran dhe Gurakoc sepse sipas tij, ato krime kanë ndodhur por se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kryes i tyre.
Edhe i akuzuari Bojrovq mohoi që ka bërë krime lufte, duke thënë se nuk kryes i veprës penale për të cilin akuzohet dhe tha se ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Me përfundimin e dëshmisë së Elshanit seanca u ndërpre për tu caktuar e radhës në fillim të vitit 2024.
Ekrem Bajrovci po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Krime Lufte” në qytetin e Istogut.