Gjysmë milioni euro do të jetë kostoja fillestare sa i përket zhvendosjes së një pjese të Ministrisë së Kulturës në Prizren.
Këto mjete, sipas planifikimeve të këtij institucioni, do të shpenzohen vitin e ardhshëm për rregullimin e zyrave të punonjësve të administratës që do të vendosen në qytetin jugor. Me to do të restaurohet ai që njihet si “Kazerma e vjetër – Internati”, ku do të zënë vend disa prej punonjësve të administratës. Kabineti i ministrit të Kulturës synon të marrë një tjetër objekt, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këtë shumë nuk hyjnë shpenzimet e zhvendosjes, as ato operative për komunikim zyrtar midis dy departamenteve që do të jenë në Prizren e të tjerave që mbesin në Prishtinë, në distancë prej 84 kilometrash. Ende nuk dihet se si do të organizohet transporti për punonjësit që pas 17 vjetësh do t’u ndërrohet vendi i punës.
MKRS-ja synon që zyrat e ish-Rektoratit të universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” të shërbejnë për kabinetin e ministrit, përderisa objekti i njohur si “Internati” të jetë hapësira e Departamentit të Kulturës dhe atij të Trashëgimisë Kulturore. Vendimi për zhvendosje u miratua të martën edhe në Qeveri.