Borussia Moenchengladbachu shpreson të shuajë shpresat e Real Madridit për sukses në Ligën e Kampionëve. Ekipi gjerman po kërkon një vend në rundin nokaut të garave evropiane, për herë të parë që nga vitet e 70-ta.
Para ndeshjeve të xhiros e fundit (6) të fazës së grupeve të Championsit, Gladbachu është lider i befasishëm i Grupit B. Prinë në tabelë me tetë pikë, një më shumë se Shakhtari dhe Reali që renditen në pozitat dy e tre.
Reali duhet patjetër ta mposhtë Gladbachun në Madrid për të pasur të garantuar kualifikimin në fazën e nokautit. Kalimi tutje i është rrezikuar gjigantit evropian pas dy humbjeve nga Shakhtari.
Dueli mes Realit e Gladbachut, luhet të mërkurën në stadiumin “Santiago Bernabeu” prej orës 21:00.
Një humbje eventuale e Realit në shtëpi do të bënte që madrilenët të mbesin pa bilancin e jashtëzakonshëm, si ekipi i vetëm që ka kaluar gjithmonë në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Te Gladbachu po synojnë ta bëjnë pikërisht një gjë të tillë, të eliminojnë Realin nga gara elitare e Evropës.
“Ne kemi pozitën më të mirë në grup prej të gjitha ekipeve dhe ne e kemi siguruar atë falë përpjekjeve tona”, tha mesfushori i Gladbachut, Christoph Kramer.
Gladbachu do të kualifikohet si fitues i grupit me fitore ndaj Realit, por gjithashtu mund të avancojë tutje me një barazim apo edhe humbje, nëse Interi dhe Shakhtari barazojnë në ndeshjen tjetër të së mërkurës në kuadër të këtij grupi. Gjermanët po ndjekin paraqitjen të parë në fazat eliminuese në kupat evropiane që nga arritja në gjysmë-finale të Kupës së vjetër të Evropës në edicionin 1977/78.
“Ne e kemi një finale para vetes. Të gjithë po e presim me padurim, por e dimë se sa e vështirë do të jetë detyra që ia kemi vënë vetes. Ne do të duhet të mbrohemi me pasion, por me cilësitë tona do të kemi mundësi edhe për të shënuar”, ka shtuar Kramer.
Gladbachu në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësin Tony Jantschke e sulmuesin Jonas Hofman, të lënduar derisa mesfushori Ramy Bensebaini nuk ka udhëtuar për në Madrid, shkaku i infektimit me koronavirus.
Te Reali vlerësohet suksesi në Ligën e Kampionëve mbi të gjitha dhe te kampioni i Spanjës e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes kundër Gladbachut. Në fakt edhe e ardhmja e trajnerit Zinedine Zidane do të ishte në rrezik nëse Reali nuk arrin të shkojë përtej fazës së grupeve. Te Reali për këtë ndeshje kthehet kapiteni Sergio Ramos dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Carvajal që janë shumë të rëndësishëm për repartin defensiv të madrilenëve. Në veçanti Ramos është shumë i rëndësishëm. Madridi i ka humbur tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Evropë pa kapitenin në fushë. Reali në këtë duel do të futet pas fitores në vikend ndaj Sevillas që ishte e para në La Liga që nga muaji tetor.
“Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira, por kjo skuadër ka shumë karakter dhe i pëlqen sfidat. Besoj se një gjë të tillë do ta dëshmojmë kundër Gladbachut, ndeshje që duhet patjetër ta fitojmë për të vazhduar ëndrrën e Championsit”, tha Zidane. “Nuk po mendoj për shkarkimin pasi mendja ime është vetëm te ndeshja. E kam parasysh situatën në të cilën jemi, por të jeni të sigurt se dua të fitojmë dhe ta mbyllim fazën e grupeve në pozitën e parë. Në këtë ndeshje mund të dëshmojmë se jemi ekip i madh”.
Shpresa për kalim përtej fazës së grupeve ka edhe te skuadra e Interit. Ekipi italian po llogarit në sulmuesin e fuqishëm Romelu Lukaku për të siguruar fitoren kundër Shakhtarit. Lukaku shënoi dy gola në fitoren e Interit ndaj Gladbachut (3:2) për t’i mbajtur gjallë shpresat e ekipit italian, i cili nuk ka avancuar përtej fazës së grupeve në Champions që nga edicioni 2011/12. Interi, që zë vendin e fundit në tabelë me pesë pikë, duhet ta mposhtë Shakhtarin në shtëpi dhe të shpresojë që ndeshja tjetër e grupit ndërmjet Realit e Gladbachut të mos përfundojë baras, për të siguruar kualifikimin në raundin e nokautit. Asnjë ekip i Grupit B nuk është kualifikuar dhe të gjitha kanë rastin ta bëjnë një gjë të tillë në xhiron e fundit.
Trajneri i Interit, Antonio Conte ka paralajmëruar se atij nuk do t’i interesojë aspak rezultati i ndeshjes në Madrid, por do të fokusohet te fitorja ndaj Shakhtarit.
“Mua më intereson vetëm fitorja e ekipit tim dhe nuk do të merrem me rezultatet tjera. Ne e kemi parasysh synimin tonë dhe duhet patjetër ta fitojmë ndeshjen përballë Shakhtarit që ka një ekip të shkëlqyer. Është ndeshje e rëndësishme për të dyja ekipet, por ne duhet të arrijmë qëllimin tonë dhe pastaj të shohim”, është shprehur Conte, i cili ka konfirmuar mungesën e mesfushorit Arturo Vidal. “Mungesa e Vidalit do të ndihet, por ne duhet të ecim përpara. Të mos harrojmë se përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, i cili ka mposhtur dy herë Real Madridin dhe aspak nuk do të jetë lehtë”.
Në Grupin D, ndeshja ndërmjet Ajaxit dhe Atalantas, që nis në orën 18:55, do të përcaktojë se cila skuadër do të vazhdojë garat në Champions dhe cila në Ligën e Evropës. Aktualisht Atalanta është në pozitën e dytë me tetë pikë të mbledhura, një më shumë se Ajaxi që renditet i treti. Prej këtij grupi kalimin tutje ka kohë që e ka siguruar Liverpooli që në xhiron e fundit do të jetë mysafir i Midtjyllanit tashmë të eliminuar. Në fakt, Atalantas i kryen punë edhe barazimi në duelin që do të zhvillohet në Amsterdam, por jo edhe Ajaxit që është i vendosur të vazhdojë garat në Ligën e Kampionëve.
“Ndaj Atalantas do të futemi me ambicie të mëdha. Duhet patjetër të jemi në mesin e 16 ekipeve më të mira të Championsit dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Kam ekip që më garanton një gjë të tillë dhe pres ta mposhtim Atalantan, që duhet pranuar se është një kundërshtar i papërshtatshëm”, ka thënë trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag.
Grupi A
Bayern M. – Lokomotiva M. (21:00)
Salzburg – Atl. Madrid (21:00)
1. Bayern M. 5 13
2. Atl. Madrid 5 6
3. Salzburg 5 4
4. Lokomotiva M. 5 3
Grupi B
Inter – Shakhtar D. (21:00)
Real Madrid – Borussia M. (21:00)
1. Borussia M. 5 8
2. Shakhtar D. 5 7
3. Real Madrid 5 7
4. Inter 5 5
Grupi C
Man. City – Marseille (21:00)
Olympiacos – Porto (21:00)
1. Man. City 5 13
2. Porto 5 10
3. Olympiacos 5 3
4. Marseille 5 3
Grupi D
Ajax – Atalanta (18:55)
Midtjylland – Liverpool (18:55)
1. Liverpool 5 12
2. Atalanta 5 8
3. Ajax 5 7
4. Midtjylland 5 1