GLPS: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut apo e “praktikës evropiane”

Prishtinë | 14 Jan 2022 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë ku sipas tyre Kosovë nuk është çështje e tw drejtave të njeriut apo e “praktikës evropiane.

Postimi i plotë:
Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut apo e “praktikës evropiane.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është vazhdimisht duke përcjellur situatën e krijuar së fundmi rreth mundësisë së mbajtjes së një referendumi nga ana e shtetit të Serbisë dhe kërkesën e tyre që i njejti të realizohet edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
GLPS konsideron që mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe respektit të ndërsjelltë të secilit vend të Bashkimit Evropian. Ne deshirojmë të theksojmë që nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër në një menyrë të tillë sikur të ishte një proces zgjedhor i zakonshëm. Në kuptim të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (psh rasti Py v. France 2005), e drejta e dikujt për të votuar për zgjedhjet e një shteti tjetër në territorin e shtetit ku banon nuk ekziston. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e qartë në kuptim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3, protokolli 1). Madje GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues që të mos lejojë një proces votimi për një referendum kushtetues të një shteti tjetër, e aq më pak për një shtet me një kushtetutë paragjykuese dhe armiqësore ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Prandaj, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk duhet ta lejojë një proces të tillë por e njejta duhet të arsyetojë veprimin e saj duke u mbështetur në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës, pavarësisht deklaratave dhe presioneve të ndryshme nga jashtë.
Së fundmi, kërkesa e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka asnjë lidhshmëri me të drejtat e njeriut dhe refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane. E njejta është hapi i rradhës në tentimet e vazhdueshme të Serbisë në cenimin e shtetit të Kosovës, veprime këto që duhet ndaluar. GLPS mbështet veprimet të cilat i kontibuojnë fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal por, vetëm në rastet kur Kosova është palë e barabartë dhe e respektuar për sovranitetin e saj tashmë të njohur botërisht. Ndërsa kërkesa konkrete e Serbisë përkundrazi nuk promovon aspak bashkëpunim të mirëfillt dhe qëllim për dialog konstruktiv mes dy shteteve.
Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe me legjitimitet të plotë që të sillet si i tillë ndaj çdo kërkese e cila do cenonte parimet kushtetuese dhe integritetin shtetëror. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që e njejta të ketë parasysh këto fakte gjatë marrjes së një vendimi lidhur me këtë situatë.
Sinqerisht,
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme