Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për media, me temën “Zbatimi i Planit të Rritjes dhe pasojat e vonesave në reforma dhe financim”.
Gjatë kësaj konference, GLPS ka paraqitur një përmbledhje të zhvillimeve kryesore si dhe pasojat konkrete të vonesave në zbatimin e reformave, duke marrë parasysh rëndësinë që ky proces ka për Kosovën dhe qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Ema Pula, menaxhere e programeve nga GLPS, tha se që nga sot rrezikohen humbje financiare të pariparueshme.
“Data 30 qershor, pra data e sotme, shënon përfundimin e semestrit të katërt të planit dhe fillimit të humbjeve financiare për Kosovën nga ky instrument. Që nga sot nuk ka më thjesht vonesa në ekzekutim të fondeve, por rrezikohen humbje të parikuperueshme financiare.
Në diskutim janë 90.6 milionë euro të dedikuara për semestrin e dytë me afat përfundimi deri më 30 qershor 2025. Pas kësaj periudhe është aktivizuar grejs periudha një vjeçare, ku gjatë së cilës qeveria dhe kuvendi kishin kohë shtesë për të zbatuar 13 hapat reformues në kuadër të kësaj, të këtij semestri pa humbje financiare. Megjithatë, me përmbylljen e kësaj periudhe, pasojat financiare janë të konsiderueshme dhe të pakthyeshme. Dhe shumë shpejt do të kemi një qartësi se sa nga këto mjete janë humbur përfundimisht.
Ky proces nuk përbën vetëm çështje teknike apo administrative, por çështje të drejtpërdrejtë të interesit publik. Çdo euro e humbur nënkupton zvogëlim të investimeve në ekonomi, dobësim të mbështetjes në reforma, kufizim të mundësive zhvillimore dhe cenim të besueshmërisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian”, tha ajo.
Ndërsa, Besar Gërgi, po ashtu hulumtues në GLPS, tha se në mungesë të institucioneve funksionale, një numër i konsiderueshëm i reformave të domosdoshme nuk janë zbatuar.
“Plani i rritjes, në mënyrë indirekte, është ndikuar ndjeshëm nga mungesa e konsensusit politik në vend për ndërtimin e institucioneve stabile dhe funksionale në afat të gjatë, duke krijuar kështu hapësirë për kriza të njëpasnjëshme politike.
Në mungesë të një ekzekutivi dhe kuvendi plotësisht funksional dhe të koordinuar, një numër i konsiderueshëm i reformave të domosdoshme nuk janë zbatuar.
Pas publikimit të raporteve zyrtare të zbatimit nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian do të mundësohet një pasqyrë e qartë dhe e bazuar mbi nivelin e fondeve të zhbllokuara deri sot, vlerësimin e fondeve të rrezikuara për humbje pas përfundimit të afateve, listën e reformave të papërmbushura, si dhe planin institucional për minimizimin e dëmeve të mëtutjeshme.
Duke konsideruar gjendjen aktuale, Grupi për Studime Juridike dhe Politike rithekson rekomandimet e saj për përmirësimin dhe përshpejtimin e zbatimit të agjendës së reformave përmes themelimit të një task force të dedikuar për koordinimin dhe zbatimin e reformave të planifikuara në kuadër të agjendës së reformave, prioritetizimit të qartë dhe të strukturuar të agjendës së reformave në qeverisje, dhe përpilimit të listës së ligjeve me prioritet dhe trajtimit të tyre pa humbur aspektin kualitativ, si dhe konsultimet e rregullta të parapara me ligj”, u shpreh ai.
Gërgi, në emër të GLPS, u bëri thirrje institucioneve ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet të plotë sepse formimi institucional mbetet kusht kryesor për përfitim substancial.
“Formimi i institucioneve dhe koordinimi i qëndrueshëm institucional mbeten kushti kryesor për të siguruar përfitim substancial të fondeve të parapara në kuadër të planit të rritjes. Në këtë kuptim, GLPS thekson se stabiliteti institucional dhe ritmi i vendimmarrjes do të jenë faktorë përcaktues për shmangien e humbjeve të mëtutjeshme financiare.
Çdo vonesë shtesë në formimin e institucioneve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në përfitimet financiare të vendit dhe në avancimin e reformave që ndikojnë në funksionimin e institucioneve dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
GLPS u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet të plotë që kërkon rëndësia e saj strategjike dhe financiare. Përgjegjësia publike nuk matet me deklarata, por me aftësinë për të mbrojtur interesin zhvillimor dhe financiar të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Që nga 2 maj 2025, GLPS ka paralajmëruar në vazhdimësi rrezikun e humbjeve financiare por edhe pasojat që lidhen me ritmin e zbatimit të reformave të parapara nga pakoja prej 883 milionë eurosh e ndarë nga Bashkimi Europian në kuadër të Planit të Rritjes.
