Qeveria i ka hyrë me “shpatë” rezervës shtetërore. Të premten, buxhetit ia ka hequr gjysmë milioni euro për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kurse këtë të hënë nga kuleta e shtetit i nxori një milion euro për të mbuluar faturat e serbëve të veriut, për energjinë elektrike të shpenzuar, e të cilën refuzojnë ta paguajnë, shkruan sot Koha Ditore.
Në dy muajt e parë të vitit, Ekzekutivi ka ndarë shumë mjete nga rezerva e shtetit, fond ky që mbulon shpenzimet e paplanifikuara. Në mesin e gjërave të paplanifikuara ishte edhe realizimi i programit të Këshillit organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Për organizimin e kremtes së dekadës së parë të shtetësisë, qenë ndarë 600 mijë euro.