Është lëshuar urdhëresë për ta sjellë me detyrim në seancë, I.K, i akuzuar se sulmoi fizikisht gruan e tij, tani të dëmtuarën V.S.
Urdhëresa është lëshuar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak se i akuzuari ka munguar në seancën e shqyrtimit fillestar.
Gjykatësi i rastit Hanefi Jashari deklaroi se i akuzuari Krasniqi ka qenë i ftuar disa herë, por i njëjti nuk ka pranuar ftesën.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Krasniqi, gjykatësi Jashari ka thënë se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo në shkresat e lëndës për të njëjtin rezulton adresa e panjohur, andaj për të siguruar pjesëmarrjen e tij në seancën e radhës, do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, Stacionit Qendra në Prishtinë.
Në këto rrethana, seanca e shqyrtimit fillestar u shty derisa e radhës nuk është caktuar pasi gjyqtari ka njoftuar se shkon në pension.
Në këtë seancë i pranishëm ishte prokurori, Zef Prendrecaj.
Sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të 2018-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, I.K. po akuzohet se ka sulmuar fizikisht viktimën, tani të dëmtaren V.S.
Ne aktin akuzues thuhet se në prill të 2018-ës, në Prishtinë, e dëmtuara deri sa ishte duke bashkëjetuar me të akuzuarin, kishte pasur probleme me të gjatë gjithë kohës, deri sa më 6 prill 2018, i akuzuari e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën V.S. duke e goditur me shuplakë në fytyrë, me këtë ç’rast e dëmtuara kishte shkuar te shtëpia e prindërve të saj dhe kishte lënë fëmijët e saj me të akuzuarin.
Me këtë, ai apo akuzohet se ka kryer veprën penale, “Sulmi” nga neni 187, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në tri vite, shkruan BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.