Andre Gomes e ka kryer me sukses operacionin në këmbën e djathtë pas lëndimit “horror” që pësoi mbrëmë.
Lajmi është konfirmuar nga Evertoni.
Ish-mesfushori i Barcelonës, Andre Gomes, pësoi lëndim të tmerrshëm në ndeshjen mes Evertonit dhe Tottenhamit në “Goodsion Park” pas ndërhyrjes nga Son Heung-Min, pak ia ndihmoi edhe Sergie Aurier.
Ai pati frakturë në këmbën e djathtë, për çka edhe Son Heung-Min s’mund t’ia falte vetës dhe veprimet që bënte, tregoi më së miri se e përjetoi shumë rëndë faktin se e dëmtoi.
Një ditë pasi Evertoni konfirmoi se Gomes do t’ju nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale pas shtrimit në spital, është realizuar edhe operimi.
Evertoni tashmë ka njoftuar se operimi është kryer me sukses dhe se Gomes pritet që së shpejti të fillojë fazën e rehabilitimit, derisa nuk është bërë e ditur se kur mund të rikthehet në fushë.
Sipas mediave angleze, ka përfunduar sezoni për të.
“Evertoni mund të konfirmojë se Andre Gomes i është nënshtruar me sukses operacionit pas lëndimit të pësuar në këmbën e djathtë”, thuhet fillimisht në njoftim.
“Andre tani do ta fillojë rikuperimin në spital para se të kthehet në palestër me stafin mjekësor të klubit”.
Ndeshja mes Evertonit dhe Tottenhamit u mbyll 1:1, pas një goli të vendasve të realizuar në minutat shtesë të takimit, që ishin dhënë mbi 10 për atë se çfarë ndodhi në fushë.