Gomez do të luajë për t’iu kthyer gëzimin qytetarëve të Bergamos

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Atalantas, Alejandro Gomez, dëshiron t’iu sjellë sërish gëzimin qytetarëve të Bergamos.

Bergamo është një nga qytetet që është prekur më së rëndi nga koronavirusi. Gomez thotë se lojtarët e Atalantas kanë përgjegjësi të madhe kur të rifillojë futbolli.

“Është përgjegjësi e madhe. Bergamo ka vuajtur shumë. Kurrë nuk pata ndonjë ide që të largohem nga qyteti”, ka thënë Gomez për “La Gazzetta dello Sport”.

Ai thotë se është i përgatitur të jap çdo gjë për qytetin e Bergamos, kur të rifillojë Serie A. Atalanta ndeshjen e parë e luan më 21 qershor kundër Sassuolos.

“Është një detyrë, por jo barrë. Duhet të vazhdojmë me gjërat e jashtëzakonshme që kemi bërë dhe që u ndaluan në gjysmë. Për ne rifillimi nënkupton mundësi që t’i kthejmë gëzimin atyre që kanë vuajtur në këto muaj. Nuk mund të zëvendësojmë të vdekurit, të largojmë dhembjen, por vetëm të sjellim pak lumturi, për pak orë të bëjmë njerëzit që të mendojnë për gjëra tjera. Bergamos i mungon futboll; frymon dhe jeton për futboll. Por pa harruar atë që ka ndodhur”, ka shtuar Gomez.

Ai ka thënë se ishte skeptik për rifillimin, por pas të dhënave të fundit është i vendosur të kthehet në fushë.

“Po të më pyesni dy muaj më parë do të jepja përgjigje tjetër. Tash siguria është rritur dhe virusi duket më pak agresiv. Jam për të rifilluar”, ka thënë Gomez.

Të ngjashme