Google ka futur rregulla të reja me të cilat ndalohen çdo lehtësi gjatë shitjes dhe blerjes së marihuanës përmes aplikacioneve të veta, pavarësisht nëse kjo është e ligjshme apo jo.
Kompania thotë se nuk po përpiqet t’i bllokojë plotësisht kompanitë që ofrojnë shërbime të lidhura me marihuanën në Google Play, por dëshiron t’i harmonizojë aplikacionet e tyre me rregullat e reja.
Portali Android Police supozon se rregullat e reja mund t’i rrezikojnë aplikacionet e popullarizuara për gjetjen e marihuanës Eaze dhe Weedmaps.
Megjithatë, aplikacionet për Android ende mund ta promovojnë marihuanën, por nuk u lejohet që ta ofrojnë funksionin e karrocës për blerje në aplikacionin i cili u ndihmon në organizimin e livrimit ose marrjes së marihuanës, pavarësisht nëse ajo është e ligjshme në një shtet të caktuar apo jo. Me fjalë të tjera, është e ndaluar të shitet marihuana përmes aplikacioneve të Google, shkruan KOHA Ditore.
“Këto aplikacione thjesht duhet ta bartin karrocën e tyre jashtë vetë aplikacionit në mënyrë që të jenë në përputhje me këtë politikë të re. Jemi në kontakt me shumë programerë dhe po punojmë me ta për t’u përgjigjur në të gjitha pyetjet teknike dhe t’i ndihmojmë që t’i implementojmë ndryshimet pa e dëmtuar klientin”, tha zëdhënësi i Google për The Verge.
Përndryshe, App Store i Apple i ka ndaluar prej kohësh të gjitha lehtësimet për shitjen e marihuanës, duhanit, alkoolit dhe substancave të tjera.