Departamenti amerikan i Punës njoftoi sot se Google ka pranuar të paguajë 3.8 milionë dollarë pas akuzave për diskriminim ndaj grave dhe aziatikëve.
“Pjesa më e madhe e këtyre parave do të shërbejnë për të kompensuar 2.565 gra të punësuara nga Google në pozicione inxhinierike, si dhe gati 3.000 kandidatë për punë persona, shumica gra me origjinë aziatike, të cilët nuk u zgjodhën për pozicione të tilla”, theksoi Departamenti i Punës.
Google deklaroi se diskriminimet ishit zbuluar gjatë një analize të brendshme rutinë dhe kompania kishte pranuar të jepte këtë shumë për të korrigjuar situatën, duke hedhur poshtë se kishte shkelur ligjin.
“Ne mendojmë se të gjithë duhet të paguhen për punën që bëjnë dhe jo për atë që janë dhe ne po investojmë shumë për të siguruar që proceset tona të punësimit dhe kompensimit të jenë të drejta dhe jo të rreme”, theksoi një zëdhënës i Google.
Zëdhënësi shtoi se Google çdo vit analizon të dhënat e saj të pagave për anomali dhe se kompania është e lumtur të zgjidhë problemet e diskriminimit të pretenduar.
“Diskriminimet në paga mbeten një problem i vazhdueshëm”, deklaroi në një komunikatë Jenny Yang, një zyrtar i specializuar i Departamentit të Punës. \ ATA