Gorani: Fati i Kurtit i pashkëputshëm nga “Zajednica”

Prishtinë | 03 Jan 2024 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Kosova e Serbia kurrë më shumë se në vitin 2023 s’kanë manifestuar armiqësi, që prej se kanëmbyllur konfliktin, para më shumë se dy dekadash.

Edhe pse Perëndimi bëri përpjekje intensive që t’i afrojë palët duke ua hedhur në tavolinë zgjidhjen, gazetari i njohur Dukagjin Gorani nuk sheh as vendosmëri as vullnet në përpjekjet euroatlantike për të mbyllur konfliktin.

“Perëndimi nuk po ka arsye të jetë i vendosur, ndërkohë që palëve shumë vonë i ra ndërmend se nuk e duan një marrëveshje që u pranua dhe u nënshkrua së paku tri herë gjatë dhjetë viteve” vlerëson ai në një intervistë për Gazetën Express.

Gorani e sheh si rrugëdalje rimendimin strukturor të krejt procesit, edhe pse kjo i duket e vështirë. Pengesë e sheh Kurtin që aktualisht është duke e udhëhequr vendin.

“Për udhëheqjen tonë, më e madhe është sedra e saj se sa zgjidhja historike. Kam frikë që prej inatit që po i shpaloset mosdija, më parë do ta pranojë federalizimin me Serbinë se sa një zgjidhje që na afron me Shqipërinë” thekson ai.

Por, nuk përfundon këtu ajo çfarë Gorani ka të thotë për shefin e Qeverisë.

“Albin Kurti është bërë kryeministër duke pasë mungesë kolosale të diturisë dhe përvojës në çështjet politike e historike mes neve, serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

“I armatosur vetëm me retorikë adoleshente, Kurti ka qenë i bindur që një lëmsh i interesave të komplikuara strategjike, politike, ekonomike dhe të sigurisë – çfarë është Dialogu – mund të manipulohet vetëm me formulime gjuhësore” shton ai.

Gorani ka komentuar edhe për Propozimin Evropian për Asociacionin që BE po pret të nisë menjëherë pas festave.

“Interpretimin profesional të draft-Statutit të BE-së po ia lë ekspertëve të fushës. Nuk pretendoj se mund ta dekonstruktoj me saktësi juridike. Por, për aq sa mund të kuptohet politikisht, bëhet fjalë për krahinë autonome për serbët brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

“Zajednica, e tillë çfarë po propozohet, rrezikon të nisë një konflikt të ri. Besoj se kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Kosova është shtet tepër i vogël që ta absorbojë një autonomi kaq të madhe territoriale dhe politike brenda vetes” thekson ai.

Sipas Goranit, fati i kryeministrit Kurti është i lidhur me Asociacion, kreaturën që bashkësia ndërkombëtare po e kërkon me ngulm e që Kurti e ka “gëlltitur i ekzaltuar nga ‘sukseset në terren’, e gëlltiti lehtësisht pak muaj më herët”.

“Sot, gjykuar nga deklarimet e tij të fundit, po shihet se e ka kuptuar lojën porse, si zakonisht, me vonesë tragjike – për të dhe për vendin. Tashmë, fati dhe karriera e tij politike është e pashkëputshme nga Zajednica. Nëse nuk e zbaton, duhet të largohet; nëse e zbaton, do të poshtërohet – dhe, sërish, të largohet. ‘Little knowledge is dangerous’, thuhet…”

Intervista e plotë

Pyetje: Kosova dhe Serbia po e vazhdojnë dramën e tyre e cila sivjet arriti një pikë të rrezikshme siç ishte rasti i Banjskës. A po shihni vendosmëri te Perëndimi dhe vullnet tek palët që konflikti të mbyllet ndoshta gjatë vitit 2024?

Gorani: Jo, nuk po shoh as vendosmëri, as vullnet. Perëndimi nuk po ka arsye të jetë i vendosur, ndërkohë që palëve shumë vonë i ra ndërmend se nuk e duan një marrëveshje që u pranua dhe u nënshkrua së paku tri herë gjatë dhjetë viteve.

Serbia do veriun e Kosovës, e jo Zajednicën. Kosova do që ta mbajë veriun, por jo edhe ta zbatojë Zajednicën. Formalisht, Perëndimi mund t’i detyrojë palët, por ja që as ai nuk po do.

Nuk shoh se kjo gjendje absurde ka zgjidhje – përveç rimendimit strukturor të mbarë procesit. Nëse askush nuk e do Zajednicën, nuk ka nevojë të themelohet. Të gjithë e dimë se ka edhe zgjidhje tjetër, mirëpo qeveria e Albin Kurtit tmerrohet nga ajo. Kurti erdhi në pushtet duke e përçmuar dhe demonizuar atë.

Këtë e shoh problem shumë të madh. Ripërcaktimi i kufijve shumë vështirë mund të kthehet sërish në tavolinë, mirëpo nuk është tërësisht i pamundshëm nëse ka vullnet të dyanshëm. Por, për udhëheqjen tonë, më e madhe është sedra e saj se sa zgjidhja historike. Kam frikë që prej inatit që po i shpaloset mosdija, më parë do ta pranojë federalizimin me Serbinë se sa një zgjidhje që na afron me Shqipërinë.

Pyetje: Përfaqësuesi i Lartë i BE’së Josep Borell dhe më pas edhe tre liderët europianë thanë se Kurti dhe Vuçiq në tetor janë zotuar se do t’i zbatojnë marrëveshjet që u janë propozuar. Nëse në formate të tilla të takimeve çfarë i kanë pasur Kryemnistri Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq me liderë evropianë jepet zotimi, fjala e dhënë duhet të mbahet apo jo?

Gorani: Mbase, fjala e dhënë mbahet në Perëndim. Tek ne në Ballkan, pabesia konsiderohet virtyt kurse mbajtja e fjalës – dobësi. Aktualisht, në Serbi dhe në Kosovë janë në pushtet dy struktura ultra-ballkanike: premtojnë pa iu trembur syri dhe tradhtojnë pa fije turpi. Patjetër, edhe pushtetet e mëhershme kanë qenë të ngjashme, por këto aktualet, të Vuçiqit dhe Kurtit, e kanë ngritë pabesinë dhe papërgjegjësinë në nivele po thuaj argëtuese. Viteve të kaluara, shkelja e marrëveshjeve ndodhte brenda javëve ose muajve: sot, ajo bëhet brenda një fjalie, brenda një komunikate apo konference për shtyp. Shembull, sot jemi të mësuar ta konsiderojmë normale kur kryeministri, presidentja apo kryetari i Kuvendit e fillojnë fjalimin me refuzim të marrëveshjes dhe e përfundojnë me pranim të saj. Ose, anasjelltas. Nuk më ka rastisë më herët të shoh këso mungese elementare të skrupullit.

Pyetje: Nëse Kurti bindet ta themelojë Asociacionin dhe Vuçiq ta bëjë ‘njohjen de facto” siç u kërkojnë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë sikurse edhe SHBA pa një njohje formale, a është kjo një formulë që mund t’i ndalë armiqësitë e vjetra dhe ta sigurojë njëfarë normaliteti?

Gorani: Zajednica, e tillë çfarë po propozohet, rrezikon të nisë një konflikt të ri. Besoj se kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Kosova është shtet tepër i vogël që ta absorbojë një autonomi kaq të madhe territoriale dhe politike brenda vetes. Një çerek-shekulli ka kaluar nga lufta me Serbinë dhe dy popujt janë alienuar skajshmërisht nga njëri-tjetri.

Keni parasysh, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të krahasohen me afinitetin e kroatëve, boshnjakëve, malazezëve apo edhe të maqedonëve – me serbët. Të gjithë këta e flasin dhe e kuptojnë një gjuhë të përbashkët, jetojnë brenda një hapësire të përbashkët kulturore e cila ua mirëmbanë edhe afërsinë politike, ekonomike e shoqërore. Sado që formalisht refuzojnë ta pranojnë këtë, megjithatë kjo mbetet një fakt. Historikisht, ata janë popuj të afërt mes vete. Por, jo edhe ne.

Me shqiptarët dhe serbët çështja është njëkohësisht shumë më e thjeshtë – por edhe shumë më e vështirë. Sot, as nuk e flasim as nuk e kuptojmë gjuhën e njëri-tjetrit. Botëkuptimet politike, afinitetet kulturore e logjika shoqërore janë diametralisht të kundërta. Ne i kemi sytë kah Perëndimi, ata kah Lindja. Sot nuk ekziston as mbamendje minimale mbi jetesën e dikurshme të përbashkët – nëse ndonjëherë ka ekzistuar si e tillë. Personalisht, dhe vetëm për nga mosha, i takoj një numri shumë të vogël të njerëzve që ende e flasin serbishten apo serbo-kroatishten, si quhej dikur. Qyftet e sotme ideologjike të Beogradit për ‘Botën Serbe’ mbase mund të kenë kuptim në rrethinën ballkanike, por jo edhe tek ne. Shqiptarët e Kosovës atë nuk e kuptojnë dot as gjuhësisht, e lëre më strukturalisht.

Andaj, për çfarë po flasim? Pas gati 50 viteve të largimit të qëllimtë dhe sistematik mes vete, dy popuj që nuk duan të jetojnë me njëri-tjetrin nuk mund dhe nuk duhet të detyrohen në bashkëjetesë të pavullnetshme. Sot, ne as që e njohim njëri-tjetrin. Siç thuhet në anglishte, jemi ‘perfect strangers.’ Si kurdoherë më parë, jam i bindur se duhet të gjejmë zgjidhje që do të na mundësojë të kemi fqinjësi korrekte, assesi bashkëjetesë konfliktoze.

Pyetje: Asociacioni mbetet një pikë e vështirë. Ndonëse thuhet se Kryeministri Kurti e ka pranuar atë duke i pranuar propozimet ndërmjetësve zbatimi nuk është i lehtë. Në fakt, a besoni ju se do ta shihni këtë Kryeministër duke e themeluar një Asociacion që e ka kundërshtuar pothuaj me të gjitha mjetet?

Gorani: Albin Kurti është bërë kryeministër duke pasë mungesë kolosale të diturisë dhe përvojës në çështjet politike e historike mes neve, serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Të prodhuar në margjinat e një aktivizmi quasi-politik, ai dhe organizata e tij janë udhëhequr me bindje të cekëta mbi këtë proces politik përplot interese disonante ndërkombëtare, përplot ndërskamca rajonale e sfida brenda-shoqërore. I armatosur vetëm me retorikë adoleshente, Kurti ka qenë i bindur që një lëmsh i interesave të komplikuara strategjike, politike, ekonomike dhe të sigurisë – çfarë është Dialogu – mund të manipulohet vetëm me formulime gjuhësore. Ngjashëm me mënyrën qysh e ka ndërtuar Vetëvendosjen në një perandori të fjalëve, të njëjtën ka tentuar ta zbatojë në mejdanin e ndërlikuar të real-politikës ndërkombëtare të botës së të rriturve. Në fund, është shndërruar në objekt të talljes dhe të sanksioneve – ai personalisht, e me të edhe mbarë Republika e Kosovës.

Ditëve të fundit po duket ta ketë kuptuar tmerrin e manipulimit që e gëlltiti lehtësisht gjatë këtij viti, së pari në Bruksel dhe pastaj në Ohër. Duket se sot e ka të qartë se ka rënë në mashtrimin më të vjetër në botë – kur së pari të inkurajojnë e ta rrahin krahun për një sjellje të pakujdesshme, ndërsa pak muaj më vonë të kushtëzojnë e të shantazhojnë me të.

‘Vendosja e rendit dhe ligjit në veri’, ‘luftimi i bandave kriminale ne veri’, ‘dërgimi i policisë speciale në veri’, ‘refuzimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë’, etj… të gjitha këto iu lejuan Kurtit nga ana e autoriteteve supreme politike dhe të sigurisë në Kosovë (QUINT, KFOR, EULEX) me një qëllim të vetëm – që në fund ta pranojë Draft-Statutin e Zajednicës që sot e ka në tavolinë. Kafshatë kjo, të cilën, i ekzaltuar nga ‘sukseset në terren’, e gëlltiti lehtësisht pak muaj më herët.

Sot, gjykuar nga deklarimet e tij të fundit, po shihet se e ka kuptuar lojën porse, si zakonisht, me vonesë tragjike – për të dhe për vendin. Tashmë, fati dhe karriera e tij politike është e pashkëputshme nga Zajednica. Nëse nuk e zbaton, duhet të largohet; nëse e zbaton, do të poshtërohet – dhe, sërish, të largohet. ‘Little knoëledge is dangerous’, thuhet…

Pyetje: Sipas asaj që kemi parë në draft-statutin që është publikuar tashmë nuk flitet vetëm për një Asociacion por për një autonomi që po e fitojnë serbët e Kosovës që mundëson ndikim të institucionalizuar të Serbisë. Madje ka vlerësime se kjo në të ardhmen do të çojë deri në federalizim të Kosovës. Por, SHBA dhe BE thonë se kjo duhet të ndodhë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. A mjaftojnë këto garanci?

Gorani: Interpretimin profesional të draft-Statutit të BE-së po ia lë ekspertëve të fushës. Nuk pretendoj se mund ta dekonstruktoj me saktësi juridike. Por, për aq sa mund të kuptohet politikisht, bëhet fjalë për krahinë autonome për serbët brenda territorit të Repubikës së Kosovës. Për një autonomi që ka prani të rregullt zyrtare, ndihmë ekonomike dhe përkrahje politike nga Republika e Serbisë. Shkurt, sipas këtij draft-Statuti, Zajednica është një zgjatim administrativ i Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Pajtohem që me zbatimin e saj vendosen themelet e një sistemi të qeverisjes dualiste të vendit, meqë Kosova do të bashkëqeverisej nga qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd. Do të doja të thoja se kjo duket shumë e ngjashme me rregullimin aktual në Bosnje-Hercegovinë – me Marrëveshjen e Daytonit dhe Republikën Serbe – mirëpo në realitet është shumë, shumë më e vështirë se ajo, për arsyet që përmenda më herët. Në Kosovë, ky do të ishte rregullim federal mes dy popujve që – mes tjerash – nuk flasin as gjuhë të përbashkët, që në jetën e përditshme nuk e kuptojnë dot njëri-tjetrin pa përkthyes ose pa njohje të ndonjë gjuhe ndërkombëtare. Të mos flasim për faktin që shteti i Serbisë nuk e fshehë synimin që Zajednicën ta promovojë si element jostabiliteti në Kosovë, e jo si – qoftë larg – urë përafrimi mes dy popujve.

Natyrisht, këtu nuk mund ta fajësojmë Perëndimin që një rregullim të tillë e kupton krejtësisht normal dhe të zbatueshëm. Shtetet si Belgjika, Zvicra, Italia, Spanja e shumë të tjera jetojnë në rregullime federale e konfederale me gjuhë e kultura të ndryshme e që janë zyrtare. Të gjithë e dimë këtë. Natyrshëm, Perëndimi pret që edhe ne të funksionojmë ngjashëm.

Mirëpo, unë nuk pashë gjatë këtij 30-vjetëshi të fundit që dikush prej këtyre dy popujve u përkujdes ta mësojë madje gjuhën e njëri-tjetrit. As që po shoh sot ndonjë gatishmëri nga cilido prej popujve (dhe qeverive) që pakicat etnike t’i konsiderojë pasuri shtetërore e shoqërore, e jo pengesë etno-politike e demografike. Andaj, sërish, për çfarë po flasim këtu?

Sa për Kushtetutën, një marrëveshje ndërkombëtare konsiderohet kushtetuese. Një marrëveshje për Zajednicën, e arritur mes Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare do të konsiderohet dosido në pajtim me Kushtetutën. Diçka tjetër është nëse ajo do të funksionojë apo do t’i thellojë mosmarrëveshjet mes dy popujve.

Sa për Perëndimin, marrëveshjet funksionojnë përderisa ekziston vullneti për zbatimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Ai shpreson se Serbia dhe Kosova e kanë këtë vullnet meqë të dyja pohojnë se pretendojnë anëtarësim në BE, etj. Mirëpo, nga përvoja e dimë që të dy shtetet dhe të dy popujt po gënjejnë. Andaj, gjasat janë të mëdha që dy qeveritë në Prishtinë dhe Beograd t’i bëjnë ca hapa formalë në zbatim të marrëveshjes dhe pastaj ta paralizojnë atë duke vazhduar me të vjetrën.

Pyetje: Në këtë proces intensiv dialogu dhe të zhvillimeve në terren Kosova përfundoi me sanksione të BE’së, ato nuk u hoqën as kur Kosovës i erdhi një sulm nga Serbia, pra Banjska, si ka mundësi që përfunduam në këso raporti me Brukselin dhe Uashingtonin?

Gorani: Për ne, Banjska ishte moment i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Për Perëndimin, Banjska ishte (edhe) pasojë e politikave të papërgjegjshme të Qeverisë në Prishtinë ndaj veriut dhe serbëve. Patjetër, sipas tyre ishte edhe agresion, mirëpo i shkaktuar nga eskalimi gradual i situatës politike dhe të sigurisë. Madje, me sa e kuptoj logjikën politike të Perëndimit, duhet të jemi të kënaqur që nuk i zgjeruan sanksionet ndaj nesh pas Banjskës.

Si duket, ende nuk po jemi në gjendje ta kuptojmë mënyrën se si shihemi e vlerësohemi prej së jashtmi: jo si viktimë, por si një shtet i papërgjegjshëm ndaj pakicave, bashkëjetesës multi-etnike dhe bashkëpunimit rajonal. Për të njëmijtën herë më duhet ta përsëris: nuk është me rëndësi e vërteta jonë, por vetëm ajo që mbizotëron në fund. E në rastin tonë dhe të mbarë Ballkanit, kjo është e vërteta e Perëndimit. Kjo për faktin që të vërtetën e vendosë ai që ka fuqinë reale – ushtarake, politike, ekonomike e kulturore – e jo ai që ofron fakte historike dhe dërdëllisë për drejtësi e moral në politikë.

Ne u konfrontuam me Brukselin e Ëashingtonin në momentin kur vendosëm që ta shkëpusim të vërteten tonë për neve, nga e vërteta e tyre për neve. Ky proces nuk filloi me qeverinë Kurti, mirëpo me të shkarja e arriti kulmin. Sot, ne dhe Perëndimi e interpretojmë tërësisht ndryshe botën dhe vendin tonë në të. E pikëllueshme kjo, marrë parasysh se prej fillimviteve ’90 u angazhuam aq shumë që t’i harmonizojmë këto të vërteta. Por, me gjasë, çdo shoqërie ballkanike po i vijka momenti i përplasjes me Perëndim. Si duket, tash qenka momenti ynë.

Pyetje: Keni diskutuar gjatë në studio televizive për këto çështje sivjet – kryeministri Kurti ka pasur një qasje kokëfortë në dialog – a është shpaguar ndonjëherë kjo në këto marrëveshjet që u bënë?

Gorani: Larg asaj. Kokëfortësia e tij është përdorur me sukses kundër tij. Së pari ia lejuan të besojë se mund të sillet si të dojë dhe pastaj i futën sanksione dhe e detyruan ta pranojë një marrëveshje shumë më të keqe se ato të mëhershmet. Kokëfortësia është mungesë zgjuarsie dhe frikë nga ndryshimi. Si duket, Kurti e ngatërron atë me dinjitet dhe konsistencë. Absurde.

Në fund, çfarë fitoi me kokëfortësinë e dinjitetshme? Sanksione ekonomike e politike dhe draft-statutin e BE-së për një Kosovë federale. Këtë e fitoi.

Sot, Kurti përfundimisht e ka ngujuar veten në një situatë të pamundshme. Nuk guxon ta zbatojë Zajednicën dhe nuk ka fytyrë ta kërkojë kthimin e ripërcaktimit e kufijve. Zgjidhje të ndërmjetme nuk ka. Në panik nga qorrsokaku në të cilin u fut vet, tevona i lindi edhe një ide – sa banale, aq edhe shqetësuese – e cila vetëm sa shpërfaqi tutje logjikën adoleshente të tij: kërcënimi me luftë.

Kësisoj, tash e dy-tre muaj, mbarë kamarilla qeveritare e presidenciale e zhvillon vetëm një tregim, atë të rrezikut iminent nga lufta, me qëllim të frikësimit të qytetarëve. Çdo ditë të lume, Kurti, Osmani, Konjufca, Gërvalla e plot të tjerë e përmendin parreshtur mundësinë e luftës me një qëllim të vetëm: ta detyrojnë shoqërinë kosovare që ta pranojë Zajednicën duke e interpretuar shpëtim nga shkatërrimi e vrasjet.

Ky narrativ, sa naiv aq edhe i rrezikshëm, po shpaloset fëmijërisht dhe tejdukshëm. Për ndonjë luftë të mundshme në Kosovë nuk flet kush as në Perëndim, e aq më pak në Serbi. Në anën tjetër, përveç përmendjes pompoze të luftës nëpër deklarata e intervista, as Kurti e as Osmani nuk ndërmarrin gjë për atë punë. As nuk flet kush për ndonjë mobilizim gjithëpopullor, as për plane për mbrojtje të popullatës – asgjë. Vetëm fjalë boshe. Kjo, për faktin se që të dy e dijnë që biseda për luftë është vetëm një blof kalamajësh.

Mirëpo, është edhe indikacion i sikletit të tyre, të ballafaquar me zbatim të Zajednicës. Mendojnë se shantazhi ‘ose Zajednicë, ose luftë’ vërtet do të ketë sukses.

Pyetje: Shumëkush krejt këtë që po ndodhë përfshirë ta zëmë vendimin e Serbisë për t’a lejuar qarkullimin e veturave me targa RKS nëpër territorin e saj po e sheh si një skenar të përgatitur nga Perëndimi nëpër të cilën duhet të ecin Kosova e Serbia. A besoni ju në këtë apo duhet të presim fundin?

Gorani: Pse, mos po mendoni se serbët e veriut vullnetarisht dhe nga frika prej Kurtit e Prishtinës u çuan një mëngjes dhe shkuan t’i marrin targat ‘RKS’? Këso marrëzie mund ta formulojë vetëm ndonjë zëdhënës i Vetëvendosjes.

Natyrisht që e tëra është e marrëveshur. Këtë e pranoi tërthorazi edhe Kurti në konferencë të fundvitit me gazetarë. Përmes këtij veprimi Beogradi po përpiqet ta dëshmojë se po i përmbushë obligimet e veta, ndërkohë që po e shton presionin ndaj Kurtit për ta detyruar në zbatim të Zajednicës. Këtë presion do ta hetojmë që me fillimin e vitit të ri.

Pyetje: A besoni se instrumentet e BE’së, premtimi për anëtarësim në këtë organizatë, fondet që i marrin vendet aty, pra kjo fuqia e butë janë të mjaftueshme për t’i bindur që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet

Gorani: Këto fonde e kanë një kusht, sikurse që edhe procesi i anëtarësimit në BE shquhet me termin ‘conditionality’. Nuk ka para pa përmbushje të zotimeve. E për Kosovën dihet cili është zotimi mbi zotimet: zbatimi i Zajednicës që, sipas Brukselit, shpien në normalizim të fqinjësisë. Por, a guxon Kurti ta bëjë këtë dhe të shpëtojë nga gjykimi i historisë?

Me sa po shoh, deri para disa javëve mendonte se mund ta bëjë. Tash, sërish ka ndryshuar mendje: draft-Statuti po tregohet kafshatë historikisht e paarsyetueshme.

Në anën tjetër, askush në opozitë s’është i interesuar t’ia zë Kurtit karrigën e kryeministrit. Ka vite që ajo s’është tjetër veçse një karrige elektrike për ekzekutim të karrierave politike.

Kështu, në këtë zbavitje makabre, të gjithë po presim hapin e radhës të klaunëve në Qeveri e Presidencë. Çfarë taktike tjetër do t’iu bie në mend, nëse kjo me luftë nuk po ndezë? Cila do të jetë farsa e radhës, trillimi i radhës – stisja e radhës? Fondet e BE-së ndoshta? Ndonjë sadaka e radhës për qytetarët? Vazhdoj të jem kurioz.

Të ngjashme