Në kuadër të Salloneve të së Martës, organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), sot është trajtuar tema “Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në media ndaj komuniteteve etnike – Çfarë masash duhet të ndërmerren?”
Elizabeth Gowing, këshilltare politike për komunitete në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, paneliste, tha se secili qytetar duhet të reagojë në raste kur hasë në diskriminime ndaj komuniteteve joshumicë në Kosovë. “Secili prej neve kemi ndikim në rrethin tonë, duhet të mendojmë çfarë gjuhe përdorim”, u shpreh ajo.
“Çdo anëtar i komunitetit ka plot raste të diskriminimit. Ka ofendime, por që thjesht nuk e dinë që një fjalë mund të jetë diskriminuese, për shembull akronimi RAE – merret si ofendim”, tha ajo.
Gowing përmendi edhe një rast në rrjete sociale, që e kishte tronditur por nuk kishte pasur informacion se ku duhet ta raportonte.
“Janë të mirë kur janë të vdekur”! – kishte lexuar ajo në rrjete sociale, një koment që iu drejtohej komuniteteve rom, ashkali e egjiptas. Gowing tha se ishte tronditur dhe ndier e pafuqishme që ta trajtonte si rast.
Por, sipas saj kjo praktikë ka ndryshuar sepse tani ekzistojnë institucione ku gjuha e urrejtjes mund të raportohet.
Emrah Cermjani, nga organizata “Roma in Action”, iu bëri thirrje institucioneve që t’i trajtojnë me prioritet rastet e gjuhës së urrejtjes.
“Në momentin kur e raportojmë, institucionet nuk e marrin primare, në mënyrë të përshpejtuar. Institucionet duhet me ditë që ne si komunitet që kemi ngrit zërin, nuk frikësohemi prej askujt”, u shpreh ai.
Sipas tij, gjithashtu nevojitet përfshirje më e mirë në edukim shkollor. “Ka mungesë të literaturës që përshtatet për këto komunitete”.
“Ministria e Arsimit duhet të shikojë mundësitë që në kuadër te librave shkollore, ta fus edhe historikun e komuniteteve të tjera që nuk janë shqiptare”, ishte këshillë tjetër e Cermjanit.
Cermjani theksoi se raste të diskriminimeve e përdorimit të gjuhës fyese ndodhin edhe në Kuvendin e Kosovës. “Janë përdorur terme fyese. Në rastin e fundin nuk kemi parë asnjë tentim për të ndërhyrë nga kryeparlamentari”.
“Fatkeqësia është që gjithçka përfundon më një kërkim-falje, gjithçka harrohet të nesërmen”, shtoi ai.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë (ZQM), tha se është e rëndësishme që të respektohet liria e shprehjes, por duhet të shikohen dhe gjenden mjetet e kontrollit si të sanksionohen persona që mund të lëndojnë gjatë diskutimit një komunitet.
“Ne nuk kemi dokumente, që ta kuptojnë edhe vetë institucionet se çka është gjuha e urrejtjes. Jemi i vetmi vend që nuk kemi dokumente, manual as për zyrtarët e Ekzekutivit, dhe të Parlamentit”.
Por, Hajredini bëri të ditur se ZQM, tashmë ka marrë një iniciativë, dhe në tetor të këtij viti, pritet të përgatitet një manual që shpjegon masat parandaluese të gjuhës së urrejtjes.