Policia e Ferizajt ka njoftuar se gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm është grabitur një market në Ferizaj, ndërsa të dyshuarit sipas Policisë pasi kanë kryer veprën janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sot rreth orës 05.00, policia është njoftuar për një rast të grabitjes, në Qendrën Tregtare “Plus Market” në Ferizaj.
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, bashkë me Krim Teknikën Rajonale, i janë përgjigjur rastit dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar se në marketin e lartë shënuar ka ndodhur një vjedhje grabitqare.
“Hetimet e para nga vendi i ngjarjes, tregojnë se është thyer një derë ndihmëse e marketit nga ku është marrë një kasafortë metalike. Sipas pronarit të marketit, në kasafortë ka pasur rreth 5 mijë euro para. Grabitësit e dyshuar, të cilët ishin të maskuar, e kanë sulmuar rojën e marketit duke e goditur me mjete të forta në kokë dhe i kanë shkaktuar lëndime, nga të cilat roja po trajtohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj”.
“Sipas rojës së marketit, në këtë grabitje, janë përfshirë së paku 5 persona të dyshuar, të cilët pas veprës së kryer janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, i ka marrë të gjitha veprimet e duhura për zbardhjen e këtij rasti dhe në kapjen e të dyshuarve.