Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, bazuar në nevojat operacionale të Policisë së Kosovës për mbikëqyrës të nivelit të lartë ekzekutiv, janë graduar 27 zyrtarë policorë në gradën major.
Në ceremoninë e gradimit morën pjesë stafi i lartë drejtues i Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e Përgjithshëm, Shpend Maxhuni si dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Maxhuni ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është dëshmia kryesore që tregon nivelin profesional dhe përkushtimin e vazhdueshëm drejt fuqizimit të zbatimit të ligjit, me qëllim të shërbimit drejt qytetarëve si dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend. Ne do të punojmë së bashku, të vetëdijshëm që e ardhmja do të sjell sfida të reja, rritja dhe kompleksiteti i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht, por unë jam i bindur që çdo ditë ju do të përballeni me to, do t’i përmbushni ato me përkushtim dhe profesionalizëm sepse arritjet dhe sukseset do t’ju bëjnë më të fortë.
Ndër të tjera Maxhuni zyrtarët policorë të graduar i ftoi që të tregohen personalisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veprimet dhe obligimet tuaja , duke kryer të gjitha detyrat e ngarkuara me sukses, etik dhe integritet.
Ndërsa Ministri i MPB-së Sefaj tha se Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e saj të vazhdueshme po dëshmon profesionalizëm të lartë, po tregon se është ndër institucionet më të rëndësishme të zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve dhe vendit. Njëkohësisht ministri Sefaj i përgëzoi zyrtarët policorë për gradimin e tyre dhe uroi që të shkëlqejnë në punën e tyre ashtu siç po ju shkëlqejnë edhe gradat tuaja.
Gradimit të zyrtarëve policorë i ka paraprirë suksesi që ata kanë treguar në testimet për gradën major dhe përfundimi me sukses i trajnimit “menaxhimi i lartë ekzekutiv” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Zyrtarët policorë të graduar në gradën major do të shërbejnë nëpër pozita të ndryshme të Policisë së Kosovës.