Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja Mexhide Mjaku-Topalli, organizoi tryezë më studentë të cilët ndjekin studimet në drejtimet: Administratë Publike, Juridik dhe Shkenca Politike.
Ky takim për qëllim kishte diskutimin mbi procesin e përcaktimit të prioriteteve buxhetore nga Qeveria, dëgjimin dhe konsultimin me qytetarët, si dhe implikimin e ndarjeve buxhetore nga perspektiva në baza gjinore.
Kryetarja Mjaku-Topalli i njohu studentët me procesin ligjvënës në Kuvend, si dhe me rolin e deputetëve dhe të komisioneve në ndarjen buxhetore.
Pjesëmarrëse në këtë takim ishin edhe anëtaret e tjera të Bordit të GGD-së: Teuta Haxhiu e Fatmire Kollqaku, si dhe Blerta Deliu, ndërsa deputetja Safete Hadergjonaj bëri prezantimin e punës së Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët zhvilluan debat dhe shtruan pyetje në adresë të deputeteve siç janë: ndarja e buxhetit në fushën e arsimit, shëndetësisë, formimin e FSK-së, ndarja e buxhetit në baza gjinore, shkelja e të drejtave të punëtorëve ne sektorin privatë lidhur me pushimin e lehonisë, etj.
Kryetarja Mjaku-Topalli dhe deputetet e tjera u përgjigjën në pyetjet e studentëve, duke dhëne sqarimet e nevojshme lidhur me çështjet e ngritura.