Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) duke konsideruar barazinë gjinore si parim themelor të të drejtave të njeriut, dhe njëkohësisht duke iu bashkangjitur deklaratës së Avokatit të Popullit, iu bën thirrje subjekteve politike që të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore dhe në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), të ofrojnë mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë.
RrGGK iu rikujton subjekteve politike që Neni 14 i këtij ligji thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”, i cili Nen, poashtu thekson se “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.” (Neni 6, pargrafi 7).
Po ashtu, ky ligj thotë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse (Neni 6, pargarfi 8).
Njëkohësisht, të gjitha palët e interesit duhet të kenë parasysh se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, qartëson edhe faktin se “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji shfuqizohet.” (Neni 5, paragrafi 2)
Duke vlerësuar zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë themelore të njeriut, RrGGK e konsideron më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’iu ipen mundësi të barabarta.
Prandaj, RrGGK pret që subjektet politike dhe KQZ të respektojnë parimin e barazisë gjinore duke siguruar përfaqësim prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, ashtu siç e garanton Ligji nr. 05/L-020, si dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.