Gratë kosovare ballafaqohen me pabarazi në biznes

Prishtinë | 07 Tet 2016 | 15:20 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bizneset në pronësi të grave janë më të vogla për nga numri dhe sfidohen me barriera më të mëdha se sa bizneset me pronësi të burrave. Andaj në Kosovë, pabarazia më e madhe ka karakter gjinor.

Kështu është thënë sot në “Forumin Ekonomik të Gruas” i cili shënoi fillimin e WEF-it (Forumi Ekonomik Botëror) në Kosovë, të organizuar nga Instituti Riinvest. Në këtë forum u mblodhën aktorë, organizata e individë të shoqërisë që kanë interes dhe angazhohen për zhvillimin e gruas në ekonomi.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, ka thënë se grave u bëhen pabarazi të mëdha në aspektin biznesor, punësim e çështje tjera. Sipas tij me këtë vendi po humb gjysmën e potencialit ekonomik.

“Pabarazia më e madhe ka karakter gjinor, sepse kur shikojmë numrat e papunësisë kuptojmë që gratë tona janë shumëfish më të papuna se burrat. Kur shikojmë normën e aktivitetit të fuqisë punëtore kuptojmë se gratë janë më joaktive se sa burrat. Kur shikojmë të punësuarit kuptojmë se kontratat e grave janë më pak të paguara, më afatshkurta, më të rënda dhe më të pasigurta”, ka thënë Abdixhiku.

Në aspektin biznesor, ai ka thënë se bizneset në pronësi të grave janë më të vogla në numër dhe me barriera më të rënda se sa ato të burrave.

“Këto barriera dallojnë thellësisht nga normat e interesit, nga të drejtat e të bërit biznes në krahasim me burrat. Vendi jonë nuk po arrin të trajtoj në mënyrë të barabartë gjysmën e popullsisë së vet, duke humbur gjysmën e potencialit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka shprehur zotimin e saj që do të jetë një partnere e denjë me Forumin Ekonomik të Gruas që së shpejti të jenë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Ajo ka theksuar se angazhimi i qeverisjes do të ndikojë në rezultate me impakte afatgjate në fuqizimin ekonomik të grave.

“Kemi punuar shumë në përmirësimin e ambientit të biznesit, është funksional Fondi për garanci kreditore. Nuk është që ndonjëra prej jush të ketë qasje të drejtpërdrejt me këtë fond, por sa herë që do të aplikoni në ndonjë bankë komerciale në Kosovë dhe biznesplanet e juaja të jenë të pranueshme për bankën, ato do të lëshojnë kredi. Qëllimi i fondit është 50 për qind të rrezikut në mungesë të mbulueshmërisë së kolateralit. Qasja në financa ka qenë hendikep kryesor i grave në biznes”, ka thënë Bajrami.

Ministrja premtoi gjithashtu se Forumi Ekonomik i Gruas tani e tutje do të jetë pjesë e secilës ngjarje që organizon MTI-ja dhe pret që gratë të jenë aktive në çdo instancë. Bajrami tha se “nuk mund të krekosemi as si shoqëri dhe as si Qeveri që kemi pasur programe të veçanta për fuqizimin ekonomik të gruas, por mendoj se çdo hap i mirë që kemi bërë në qeverisje ka pasur ose do të ketë efekt në përmirësimin e gjendjes së gruas në shoqëri në përgjithësi.”

Ministrja Bajrami shtoi se shumë gra kanë kosto të madhe oportune në momentin kur ato aktivizohen në jetën ekonomike ose politike, sepse infrastruktura mbështetëse nuk është e mjaftueshme.

hykmete-bajrami

greg-delawie

Të ngjashme