Fotografi, audio, video dhe artikuj nga protestat e grave në mars të vitit 1998 janë prezantuar në ekspozitën “Data: Mars” e cila përkujton aktivizmin dhe mobilizimin e grave në politikë gjatë viteve 1990-të në Kosovë.
Linda Gusia, hulumtuese për këtë ekspozitë njëherësh edhe pjesë e Programit për studime dhe hulumtime gjinore, tha se shpreson që ky aktivizëm i grave në vitet 1990-të të shërbejë si shtysë që një gjë e tillë të ndodhë edhe tani, raporton Ekonomia Online.
“Ekspozita është ndërtuar në atë mënyrë që me qenë si bashkëbisedim. Po ashtu edhe me i ftu të gjithë me dokumentu aktivizmin e grave në vitet 90-ta”
“Ka qenë informues dhe frymëzues për mua…Duhet të kthehemi në aktivizmin e atëhershëm. Ideja është me reflektu në të kaluarën dhe me ftu për aktivizëm në të ardhmen”, u shpreh Gusia.
Nehar Isari, nga Forumi ZDF, tha se ndihet i lumtur që Forumi e ka përkrahur këtë ekspozitë, në kuadër të asaj se çfarë bëhet në temën për ballafaqimin me të kaluarën.
Ndërsa njëra nga kuratoret e kësaj ekspozite, Majlinda Hoxha, tha se janë munduar t’i japin një estetikë të gjitha hulumtimeve të bëra nga Linda Gusia, raporton EO.
“Ne jemi mundu që hulumtimit të Lindës me i dhanë një estetikë”, tha Majlinda Hoxha.
Përveç Linda Gusias për këtë ekspozitë ka hulumtuar edhe Korab Krasniqi, ndërsa në kurimim e saj së bashku me Hoxhën është marrë edhe Nurhan Qehaja.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shtator në Muzeun e Kosovës.