Rreth 30 gra nga Akademia e Grave për Lidership (AGL) kanë përpiluar disa rekomandime të cilat synojnë që të ndihmojnë partitë politike në hartimin e platformave qeverisëse në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Adriana Vieco, zyrtare ligjore për rajonin prej USAID, tha se shpreson që partitë politike të marrin parasysh këto dokumente.
“Këto gra kanë disa ide fenomenale që dëshirojnë t’i dëgjoni me zë të lartë për të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Për të gjithë ju që i keni bërë këto publikime të shkëlqyeshme ju falënderoj dhe e di se ju do të loboni që këto kauza të dëgjohen. Luftoni për çështjet të cilat i dëshironi dhe mos e merrni ‘jo’ si përgjigjeje”, tha ajo.
Alexander Chavarria, drejtor i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), bëri thirrje që gratë të mbështesin njëra-tjetrën, e sidomos ato gra që synojnë të marrin poste udhëheqëse.
“Ne kemi dizajnuar këtë akademi që ka për qëllim të fuqizojë gratë. Akademia i ka dhënë mundësin që këto gra të lidhen dhe të komunikojnë pa marr parasysh vendit ku vijnë. Ju si pjesëmarrëse keni marrë përsipër për të avokuar për çështje shumë të rëndësishme dhe ti krijoni këto dokumente. Këto dokumente do të shihen dëgjohen dhe vlerësohen jo vetëm nga partitë politike por është nga shoqëritë tuaja”, tha Chavarria, raporton EO.
Në fund u prezantuan edhe katër dokumentet e përgatitura nga katër grupe punuese.
Behare Sopa dhe Florentina Elezi nga grupi Punues për fuqizimin ekonomik të grave propozuan që komunat të mbështesin gratë përmes ofrimit i fondeve për gratë në biznes, bërja e një fushatë për aplikimin për subvencioneve nga gratë, eliminimi i aspekteve diskriminuese në konkurset për punë, por edhe në përfitimin e subvencioneve.
Grupi punues për qasjen në shëndetësi prezantoi rekomandimet e tyre për përmirësimin e gjendjes aktuale.
Ky grup rekomandoi që të shtohen trajnimet për etikën e punës në mënyrë që të përmirësohet komunikimi mes stafit dhe pacientëve, përmirësimi i kushteve mjekësore si rritja e stafit mjekësor dhe mjeteve punuese.
Pas publikimit të raportit gratë nga radhët e PDK-së u priten nga nënkryetaret e Kryesisë së Gruas Demokratike të Partisë Demokratike të Kosovës, Arbënesha Kuqi dhe Safete Hadergjonaj.
Arbënesha Kuqi me këtë rast falenderoi NDI për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gruan Demokratike dhe PDK-në përgjithësisht, ndërsa Safete Hadergjonaj përgëzoi gratë në suksesin e treguar gjatë trajnimit, duke thënë se përvojat e tyre do të jenë të dobishme për zgjedhjet lokale.
Raportet u realizuan si pjesë e Javës së Gruas që u mbajt në muajin mars.