Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka bërë hapjen e panairit “Gratë në Biznes”, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se gratë do ta kenë përkrahjen e Qeverisë.
Madje sipas saj, gratë do të kenë përparësi në çdo grant që do të ndahet, duke shtuar se janë ndarë5 milionë euro për vetëpunësimin e grave.
“Ju do të keni përkrahjen e Qeverisë edhe më shumë sepse ekonomia po rritet poashtu edhe buxheti. Në çdo grant do të keni përparësi. Janë ndarë paoshtu 5 milionë euro për vetëpunësimin e grave. Panairi iu nevojitet për hapjen e tregut”.
“Është me rëndësi të sjellim qeverisje të mirë. Kosova ka potenciale të mira dhe ka interesim të madh nga Evropa për të investuar. Të rinjtë duam t’i ndalim dhe ata do të punësohen. Kosova ka valutën euro më afër Evropës”.
Sipas saj, gratë janë të motivuara për informata shtesë për programin e Qeverisë.
“Tash jemi në fazën e konsultimeve publike. Kalohet në konsultime publike pastaj procedohet në verifikime financiare ligjore. Secili anëtar i kabinetit i pret dhe i jep informatat që i duhet investitorit”.
“Asnjë investitor s’ka mbetur pa iu përgjigjur. Gratë kanë marrë përkrahje nga ne. Gratë ishin të motivuara për informata shtesë për programin e qeverisë”.
Përveç promovimit të bizneseve, shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim edhe inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin e grave ndërmarrëse, për të bërë sa më të madhe fuqizimin e tyre në shoqëri dhe në biznes.
Panairi “Gratë në Biznes” do të jetë i hapur nga 2 deri me 4 dhjetor duke filluar në ora 9:00 e deri në ora 18:00, ku qytetarët do të mund të blejnë produktet e ekspozuara dhe njëkohësisht të njihen më për së afërmi edhe me cilësinë e këtyre produkteve.