Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka mbajtur diskutimin me temën “Vajzat e reja ndërmarrëse në skenën e ‘sturt-upeve’ të Kosovës”, me ç’rast u prezantua dokumenti që tregon për pengesat dhe sfidat me të cilat përballen gratë për të nisur një biznes, raporton Ekonomia Online.
Nga folësit u tha se sektori i teknologjisë është konsideruar historikisht të jetë drejtuar nga burrat dhe më pak i aksesueshëm për gratë dhe sipërmarrja konsiderohet gjerësisht si më sfiduese për të rinjtë, për shkak të mungesës së burimeve.
Dokumenti i politikave u prezantua nga autorja Geena Whiteman, hulumtuese PhD në Universitetin e Cardiff-it. Ajo theksoi se ky punim eksploron sfidat unike me të cilat përballen të rejat për të krijuar bizneset e tyre në një hapësirë të dominuar nga burrat, ndërkohë që ndjekin “vlerat sociale”.
Megjithëse gratë përbëjnë 50 për qind të popullsisë në Kosovë, përqindja mesatare e ndërmarrësisë së grave ka qenë 31 për qind nga afër 4 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara në Kosovës.
“Bizneset në pronësi të grave në Kosovë ende konsiderohen të jenë në fillimet e tyre, megjithatë, ky numër është në rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Afërsisht 17 për qind e subjekteve juridike aktive të regjistruara në Kosovës në vitin 2021 kishin pronare grua dhe këto ishin kryesisht në sektorin e shitjes me shumicë, shitjes me pakicë dhe shërbimeve personale. Gratë përbëjnë 50 për qind të popullsisë në Kosovë, megjithatë gjatë pesë vjetëve të fundit, përqindja mesatare e ndërmarrësisë së grave ka qenë 31 për qind nga afër 4 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara në Kosovë”, tha ajo.
Zef Dedaj, u.d. i drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), tha se përkrahja e tyre është e fokusuar te gratë sipërmarrëse. Sipas tij, statistikat flasin se kanë përkrahur për investime bizneset që udhëhiqen nga gratë.
“KIESA mbulon një fushë-veprimtari të gjerë dhe i mbështet bizneset e vogla dhe të mesme. Së fundmi janë përkrahur 36 kompani të prodhimit dhe disa prej tyre janë të udhëhequra nga gratë. Shumë kompani që udhëhiqen nga gratë përkrahen nga KIESA. Dhjetë kompani që udhëhiqen nga gratë kanë përfituar përkrahje me makineri”.
“KIESA ka qenë përkrahëse e kompanive në panaire ndërkombëtare dhe kjo ka qenë edhe në Raportin e Progresit për përkrahjen e ndërmarrësve. Zakonisht nuk marr pjesë në panaire, por së fundmi isha në Kanada dhe kam qenë me dhjetë kompani të TIK-ut dhe gjysma e tyre kanë qenë nga gratë si udhëheqëse. Ne vazhdojmë t’i përkrahim dhe kompanitë që udhëhiqen nga gratë apo ato kompani që duan të zgjerohen me punësim të grave marrin më shumë pikë nga KIESA”, tha Dedaj.
Profesori grek, Ioannis Armakolas, tha se nëse u jepet hapësira e nevojshme studentëve ata do të mund të kontribuojnë në shumë procese që Kosova mos të mbetet mbrapa.
“Shtetet dhe qeveritë kanë qenë të frustruara për shkak të proceseve që ka kaluar Kosova. Ne kemi filluar të vendosim fokus digjitalizimin dhe agjendën e gjelbër dhe po ashtu na bën mirë që e kemi bërë që të sjellim katër gjenerata të reja. Ky ndryshim ka qenë i pritur dhe projekti i bursave kanë kontribuar për të menduar për të ardhmen. Ne kemi parë se në Kosovë dhe në kryeqytetet evropiane thuhet se Evropa ka ndryshuar dhe Ballkani ka mbetur prapa dhe unë mendoj se studentët e rinj kanë kontribuar në agjendën e gjelbër dhe nëse atyre u jepet shanse ata do të kontribuojnë dhe do te mundohen t’i zgjidhin problemet politike dhe të mos mbetet prapa siç mendohet”, u shpreh ai.
Diora Binxhiu nga “Polar Bear Agency”, tha se në profesionin e saj ka punuar si 18 vjeçare.
“Unë kam filluar të punojë në këtë industri të marketingut kur i kam pasur 18 vjeç dhe kam parë se ekzistojnë një zbrazëti dhe gjëja e parë që kam dashur ta bëjë është që marr përvojën dhe ëndërr e kam pasur që të hap një kompani time. Kam pasur mundësi të shkojë në konferenca të ndryshme dhe pjesëmarrësit kanë qenë meshkujt dhe kam dashur të ketë në shumë diversitet. Kam dashur të më njohin si Diora që udhëheq një kompani të suksesshme dhe jo si një grua”, u shpreh ajo.
Primesa Arapi nga “Spectra LLC”, tha se profesioni i saj si arkitekte konsiderohet vetëm për meshkujt por që në realitet nuk është ashtu, raporton EO.
“Sa i përket gjinisë varion përmes çdo kush mendon se ju jeni femra dhe nuk iu dëgjon askush në punë por që nuk është ashtu. Mendoj që nuk është e vështirë që ta vërtetoni se fuqia është më e fortë se sa mendja. Për të qenë grua si në profesionin tim më shumë ka të bëjë me empati”.
“Nivelizimi i biznesit është më i vështirë se sa krijimi dhe zakonisht nuk mund të gjeni punëtorë adekuat por duhet ti trajnoni. Roli i gjinisë ndoshta nuk e kanë marrë edukimin e duhur për shkak të gjinisë dhe pikërisht Arkitektura shihet më shumë për burra se sa për gra dhe në kompaninë time janë vetëm gra”.