Deputetët e Kuvendit të Greqisë janë duke u përgatitur për ta ratifikuar një pakt historik që do t’ia lejojë Maqedonisë ndërrimin e emrit. Ky zhvillim politik ka nxitur kundërshtim nga masa e gjerë në njërën nga kontestet më të ndërlikuara diplomatike në botë.
Përderisa ekziston mundësia që Marrëveshja e Prespës të votohet në kuvend të premten pasdite, atmosfera brenda dhe jashtë kuvendit në Athinë ka qenë e tensionuar gjatë të enjtes. Shumë protestues kanë dalë në rrugë kundër një marrëveshjeje që po vlerësohet si “aksham pazar” nga kundërshtarët politikë, të cilët po kërkojnë mbajtjen e një referendumi.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës për ta shpërndarë grumbullin e protestuesve përderisa ata mbanin në duar flamuj të Greqisë dhe brohorisnin “Largoni duart nga Maqedonia”. Disa protestues kanë hedhur gurë dhe koktejë molotovi. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, ish-republika jugosllave do të quhet Maqedonia e Veriut, duke e hapur rrugën për anëtarësim në NATO dhe duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje që ka zgjatur disa dekada.
Policia e formoi një kordon sigurie prej 1500 pjesëtarësh në pjesën qendrore të Athinës, ndërsa protestuesit i quanin tradhtarë deputetët. Raportohet se policia i ka arrestuar dhjetë persona dhe i ka marrë në pyetje 133 të tjerë për dyshimet lidhur me organizim të dhunës. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të dalin rrugëve edhe sot, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.