Grekun Marmarinos e pret punë e vështirë në Kosovë

Prishtinë | 01 Shk 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Njohuritë që i ka fituar për kohën e gjatë sa është në basketboll, trajneri grek Christos Marmarinos tani do t’i vërë në shërbim të përfaqësueses së Kosovës. 

Marmarinos të enjten është emëruar në postin e përzgjedhësit të Kosovës, ndërsa detyra e tij te Kosova është me përgjegjësi dukshëm më të madhe se që i kishte detyrat e deritashme. Thuajse tërë karrierën greku Marmarinos ishte ndihmës-trajner, shkruan sot Koha Ditore.

Plot 14 vjet, nga viti 2004 deri në vitin 2018, Marmarinos ishte ndihmës-trajner në skuadrën e njohur të Greqisë, Olympiacos. Olympiacosi gjatë kësaj periudhe ka pasur suksese të mëdha, duke fituar edhe Euroligën. Në verë, Marmarinos nisi punë si kryetrajner. 

Drejtoi skuadrën e kategorisë së dytë të Japonisë, Nishinomiya Storks. Tani është “graduar” në seleksionues të Kosovës. Marmarinos ka pretendime të mëdha me Kosovën. Por duhet të nisë nga nivel goxha i ulët. Marmarinos do të drejtojë Kosovën në raundin e parë të parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023. Kosova është në grup me Sllovakinë, Islandën e Luksemburgun, ndërsa synon dy pozitat e para në grup, që sigurojnë avancimin në raundin e dytë parakualifikues. Kosova ka dështuar në ciklet e fundit eliminatore dhe për këtë është zhvendosur në fazën fillestare të kualifikimeve evropiane për botëror. 

Marmarinos do të debutojë më 20 shkurt në ndeshjen ndaj Islandës. Por në Kosovë do të vijë më herët. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme