Këshilltari i Kryeministrit të shkarkuar, Shkelzen Gashi, ka paralajmëruar rezistencë ndaj njoftimit të Grenellit se shpejt do të ketë fillim të bisedimeve dhe marrëveshje Kosovë-Serbi.
Gashi ka paralajmëruar se do të ketë shkëmbim territorial e zhbërje të Gjykatës Speciale.
“Këta po duan të pranojnë shkëmbim territorial; komuna të reja me shumicë sërbe e asociacion të tyre; si dhe eksterritorialitet për kishat e manastiret ortodokse në Kosovë. Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Sërbia e as anëtarësim në OKB. Këta do të marrin amnesti për pasurim të paligjshëm për dy dekada në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe amnesti nga Gjykata Speciale. NE DO TË REZISTOJMË!”, ka shkruar Gashi, në një reagim në FB, ku ka bashkëngjitur edhe reagimin e Grenell në twitter.
“Posa të hiqen tarifat / reciprociteti (mbase këtë javë?), Atëherë Dialogu fillon me seriozitet. Unë kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim sot në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë. Të tjera do vijnë së shpejti”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se javën e ardhshme do të ndërmarrë hapat përfundimtarë kushtetues për të mundësuar formimin e qeverisë së re.
Thaçi ka shkruar në Twitter se tarifat dhe reciprociteti duhet të hiqen në mënyrë që të forcohen raportet e Kosovës me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
“Javën e ardhshme do të ndërmarrë hapat përfundimtarë kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re mee legjitimitet të plotë nga Kuvendi, e aftë për të luftuar pandeminë Covid-19 dhe për t’u shërbyer njerëzve. Tarifat dhe reciprociteti duhet të hiqen në mënyrë që të forcohet mbështetja e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.