Emisari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar takimin në Washington më 27 qershor.
Ambasada amerikane në Kosovë ka publikuar një deklaratë të Grenellit, i cili thotë se shpreson që liderët partiakë nga Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë këtë momentum.
“Kjo mundësi e Shtëpisë së Bardhë i hapë dyert zhvillimit ekonomik dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë se liderët në Kosovë dhe Serbi do ta shfrytëzojnë këtë shans për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Njerëzit e këtij rajoni nuk meritojnë asgjë më pak”, ka thënë Grenelli.
Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka marrë konfirmimin nga qeveritë në Prishtinë dhe Beograd se do t’i përgjigjen ftesës për një takim në Washington më 27 qershor. Për t’u lënë vend negociatave, sipas Grenellit, Serbia do ta pauzojë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.